Rreth 200 mijë euro janë sekuestruar gjatë një bastisjeje te Millan Milliqeviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe dhe udhëheqës i opozitës në Republikën Sërpska, i cili u arrestua të hënën.
Zyra e Prokurorit Publik në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës konfirmoi se ndaj Milliqeviqit po zhvillohen hetime nën dyshimet për marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.
Hetimet përfshijnë edhe Mehmed Dubravacin, kryetar i Kuvendit të Teslliqit nga Partia Socialdemokrate, si dhe Mesha Jashareviqin, asamblist i Partisë së Veprimit Demokratik në kuvendin komunal.
“Deri më tani, gjatë bastisjeve, te personi M.M. janë gjetur rreth 400.000 marka (afërsisht 200.000 euro), ndërsa te personi M.D. janë gjetur rreth 50.000 marka (afërsisht 25.000 euro). Bastisjet në të gjitha lokacionet nuk kanë përfunduar ende. Pritet që shuma totale e parave të gjetura në valuta të ndryshme, si dhe provat tjera relevante të bëhen të ditura pas përfundimit të tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Republikën Sërpska.
Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti njoftoi se në kuadër të një aksioni, janë arrestuar tre persona nga Teslliqi me inicialet: M.M., M.D. dhe M.J.
Por, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë mori vesh se, përpara shtëpisë së Milliqeviqit, janë mbledhur mbështetës dhe anëtarë të partisë, të cilët pretendojnë se ai ndodhet ende në shtëpi në prani të policisë dhe paralajmërojnë se nuk do të lejojnë që ai të shoqërohet nga forcat e rendit.
As Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska dhe as Prokuroria nuk i konfirmuan këto pretendime të banorëve vendas.
Nga Partia Demokratike Serbe në Teslliq thanë se “kjo është një përpjekje e dukshme për frikësim politik, duke krijuar kaos dhe dhunë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve”.
Partia Demokratike Serbe ka 11 nga gjithsej 83 deputetë në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska.
Në Kuvendin e Bosnje e Hercegovinës, ajo përfaqësohet me dy deputetë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një delegat në Dhomën e Popullit.