Policia e Kosovës i ka arrestuar dy zyrtarë të Departamentit të Kadastrës në Komunën e Graçanicës nën dyshimin për korrupsion.
Policia e Kosovës tha në një njoftim për media se i ka arrestuar dy zyrtarët me inicialet V.S dhe Z.M, pasi ata dyshohen për dy vepra penale, keqpërdorimin e detyrës dhe për marrje të ryshfetit.
Ata dyshohen se i kishin kërkuar një qytetari të holla në vlerë prej 25.000 eurosh për përfundimin e një lënde në lidhje me bartjen e pronësisë, tha Policia.
Policia theksoi se “hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit i arrestuan në flagrancë dy të dyshuar duke i pranuar mjetet monetare në vlerën e cekur me lartë me qëllim të përfundimit të lëndës”.
Më herët, kryetarja e komunës, Ljiljana Shubariq, e konfirmoi arrestimin e tyre duke mos dhënë më shumë hollësi rreth arrestimit të tyre. Por, ajo theksoi se hetimi dhe arrestimi i zyrtarëve komunalë nuk e vënë në dyshim funksionimin e udhëheqjes lokale të Komunës së Graçanicës apo të Drejtorisë së Kadastrës.
Ajo tha bëhej fjalë për “veprime të ndërmarra individualisht” nga persona të caktuar.
Autoritetet kryen bastisje dhe sekuestruan të holla dhe telefona mobilë në shtëpitë e të dyshuarve.
Policia tha se tre persona të tjerë dyshohet se në bashkëveprim e kanë kryer veprat penale keqpërdorim të detyrës dhe marrje të ryshfetit.
“Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (V.S.) janë sekuestruar 5,000.00€ (pesëmijë euro) para të gatshme; në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (D.F.) janë sekuestruar 2,000.00€ (dymijë euro) para të gatshme; janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobilë personalë, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftim.
Policia nënvizoi se të gjithë të dyshuarit u morën në pytje në prani të avokateve të tyre mbrojtës, ndërsa dy zyrtarët komunalë V.S dhe Z.M janë dërguar në paraburgim për 48 orëve. Tre të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Komuna e Graçanicës është një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.