Arrestimi i një burri afgan nga FBI-ja, nën dyshimet se planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, nxjerr në pah kërcënimin në rritje që paraqet grupi ekstremist Shteti Islamik-Khorasan (IS-K) për Perëndimin.
Nasir Ahmad Tawhedi, shtetas afgan që jeton në SHBA, planifikonte të kryente sulm më 5 nëntor, në emër të IS-K-së, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Me bazë në Afganistan, IS-K ka kryer disa sulme shkatërruese në Rusi, Iran dhe Taxhikistan, viteve të fundit.
“IS-K përbën një kërcënim të rrezikshëm si për rajonin, ashtu edhe për Perëndimin”, thotë Abdul Sayed, studiues me bazë në Suedi, i cili gjurmon militantët në Afganistan dhe Pakistan.
“IS-K nuk është i kufizuar vetëm në Afganistan. Ai funksionon me agjendë globale dhe ka një rrjet që funksionon si në nivel rajonal, ashtu edhe ndërkombëtar”, thotë ai.
Forcë rezistuese
IS-K konsiderohet si dega më aktive dhe më e fuqishme nga të gjitha degët rajonale të Shtetit Islamik (IS) - grup ekstremist që pushtoi pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014.
IS-i, më pas, u mund nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja.
IS-K u themelua në Afganistan në fund të vitit 2014 dhe pushtoi territore të vogla, si pjesë e një agjende më të gjerë të IS-it për t’u shtrirë në të gjithë Azinë Jugore dhe Qendrore.
Por, ai u vu shpejt në shënjestër të forcave afgane dhe ndërkombëtare, si dhe talibanëve - një grup rival militant.
Kërcënimi nga IS-K është rritur që nga tërheqja ushtarake e SHBA-së nga Afganistani dhe rënia e Qeverisë afgane - të mbështetur nga Perëndimi - në vitin 2021, thonë analistët.
Talibanët, të cilët më pas kanë marrë pushtetin në Afganistan, kanë bërë një luftë brutale kundër IS-K-së, duke vrarë ose kapur komandantët e tij kryesorë dhe qindra luftëtarë të tij.
Megjithatë, IS-K ka një strategji të luftës urbane dhe mbetet forcë rezistuese.
Radhët e grupit janë përforcuar me luftëtarë të huaj, sidomos nga ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.
Kjo i ka mundësuar IS-K-së - që përpiqet të krijojë një kalifat ose shtet islamik në Khorasan, një rajon historik që përfshin pjesë të Afganistanit të sotëm, Pakistanit, Iranit dhe Azisë Qendrore - t’i vazhdojë sulmet në Afganistan dhe gjetkë.
Në mars, militantët e IS-K-së sulmuan një sallë koncertesh jashtë Moskës, duke vrarë rreth 140 njerëz.
Shfrytëzimi i zemërimit
Ekspertët thonë se grupet ekstremiste si IS-K janë përpjekur ta shfrytëzojnë zemërimin mes myslimanëve, prej se Izraeli ka filluar luftën e tij shkatërruese në Rripin e Gazës - enklavë e populluar me palestinezë.
Kjo luftë ka nisur pasi Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja - ka kryer një sulm kundër Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz.
Izraeli, së voni, e ka zgjeruar luftën e tij, duke bombarduar nga ajri dhe duke pushtuar nga toka Libanin.
Ai thotë se ka në shënjestër Hezbollahun - grup i armatosur dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Lucas Webber, studiues në Qendrën Soufan, thotë se IS-K ka qenë i zëshëm në thirrjet për sulme kundër Perëndimit, në vazhdën e konfliktit në Lindjen e Mesme.
“[IS-K] ka një aparat të fuqishëm propagandistik shumëgjuhësh”, thotë Webber për Shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë.
“Ai mund të ketë qasje te shumë komunitete të diasporës, për të krijuar mbështetje dhe për të mobilizuar mbështetës të dhunës”, thotë ai.
Webber thotë se IS-K dhe rekrutuesit e tij kanë pasur në shënjestër Evropën. Tani, “kemi filluar të shohim rritje të aktivitetit në Amerikën e Veriut dhe në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht”, sipas tij.