Një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, para Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila pritet të vendosë rreth një propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës në vend, përfundoi me ndalimin e përkohshëm të disa personave të mërkurën.
Aktivistë kundër shtrenjtimit të rrymës, nga iniciativa "Asnji Cent Ma Shumë!", bllokuan zyrat e ZRRE-së në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, para se të prangoseshin nga Policia e Kosovës.
Ata u liruan disa orë më vonë dhe pastaj u kthyen para zyrave të rregullatorit të energjisë për të paralajmëruar vazhdimin e protestave qysh nga nesër kundër shtrenjtimit të rrymës.
Dymbëdhjetë prej protestuesve u ndaluan gjatë protestës të mërkurën, bëri të ditur Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Policisë, ata kishin zhvilluar aktivitet të paparalajmëruar, "kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë dhe kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre".
ZRRE-ja ka paralajmëruar se, nga muaji prill, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.
Vendimi për shtrenjtimin ose jo të rrymës këtë vit pritet të merret më 11 prill, ndërsa tarifat e reja është thënë se do të mund të hynin në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli, ose nga 1 maji.
Sipas ZRRE-së, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve "Kosova A" dhe "Kosova B".
Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.
Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, që janë të shtrenjta.