Policia e Kosovës tha se ka arrestuar katër zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe ajo e Gjeodezisë dhe Kadastrës në Gjakovë, pasi ata dyshohet se kanë mundësuar që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet bartja e pronave në pronësi të personave të tretë.
Sipas njoftimit, zyrtarët, dy burra dhe dy gra, dyshohet se këto veprime i kanë bërë gjatë vitit 2018 dhe 2019.
Policia tha se pas hetimeve të kryera kanë siguruar dëshmi se të arrestuarit kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë.
Të arrestuarit janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas intervistimit, ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orë.