Ndërlidhjet

Armët ilegale që po kërcënojnë sigurinë


Disa pistoleta. Fotografi ilustruese.
Disa pistoleta. Fotografi ilustruese.

Nga viti 2016 e deri në muajin gusht të vitit 2021, në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje. Viti më i përgjakshëm ishte viti 2018, kur kishin ndodhur 34 vrasje. Derisa në tetë muajt e vitit 2021, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë kryer 19 vrasje.

Për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve.

Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Radion Evropa e Lirë se këto armë janë nxitësi kryesor i vrasjeve që ndodhin në Kosovë.

Sipas tij, një përgjegjësi të madhe e kanë edhe institucionet e sigurisë dhe gjyqësisë që nuk po ndërmarrin vendime proaktive në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve.

“Problemi kryesor është numri i madh i armëve ilegale që janë në posedim të qytetarëve, ku vetëm një numër simbolik ndoshta janë armë që i kalojnë procedurat ligjore që të posedohen me leje, dhe në anën tjetër një problem që po shfaqet sidomos me këto rastet e dhunës në familje, është edhe mosreagimi i institucioneve të sigurisë dhe gjyqësisë që po lënë në liri njerëz që kanë dosje penale të hapura në polici dhe prokurori”, thotë Avdiu.

Avdiu thotë se duhet të rriten ndëshkimet për ata që kanë armë ilegale dhe të ketë afate më të shpeshta për regjistrimin e armëve.

Pandemia COVID-19 si shtytëse e vrasjeve

Psikologu, Yll Avdiaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se, është shqetësuese rritja e vrasjeve në Kosovë. Sipas tij, në rritjen e vrasjeve ka ndikuar edhe pandemia COVID-19.

Sipas të dhënave, më 2020 kanë ndodhur 17 vrasje, ndërkaq nga periudha janar-gusht e vitit 2021 kanë ndodhur 19 vrasje.

Avdiaj thotë për Radion Evropa e Lirë se një dukuri e tillë e kërcënon sigurinë dhe rrit rrezikshmërinë në vendin tonë.

“Kohët e fundit, sidomos pas gjendjes së krijuar nga pandemia, pas izolimit, kjo dukuri vetëm se është shpeshtuar në shoqërinë tonë dhe pothuajse nuk kalon javë që ne nuk dëgjojmë që ka ndodhur një vrasje në vendin tonë”, thotë Avdiaj.

Avdiaj thotë se institucionet duhet ta marrin me seriozitet këtë dukuri, duke filluar nga niveli edukativo-arsimor.

“Shpeshherë është edukata e hershme që ka të bëjë me rrethin e ngushtë familjar, mënyra se si rriten njerëzit, mendësia që ata marrin gjatë zhvillimit dhe edukimit të tyre. Nëse është dhuna ajo që kanë modeli kryesor në familje, atëherë domosdo që këta persona të cilët janë rritur në kushte dhune, do të tentojnë që të arrijnë çdo gjë në jetën e tyre përmes dhunës dhe vrasjes”, thotë Avdiaj.

Për tre vjet mbi tre mijë armë të konfiskuara

Në Policinë e Kosovës thonë se në tre vjetët e fundit kanë konfiskuar mbi 3,400 armë të llojeve të ndryshme.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës bën të ditur se janë duke ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e vrasjeve, përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), thonë se janë duke punuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të mira për zvogëlimin e armëve të paligjshme.

Në bazë të një hulumtimi në vitin 2015, në Kosovë gjinden rreth 250,000 armë ilegale në posedim të qytetarëve, derisa në MPB nuk kanë dhënë informacione sesa është numri i tyre tash në Kosovë.

Sipas kësaj ministrie, ky numër është zvogëluar dhe do të zvogëlohet edhe më shumë përmes procesit të legalizimit të armëve.

Gjatë një periudhe nëntëmujore më 2019-2020, MPB-ja kishte realizuar një periudhë të legalizimit të armëve, ku janë dorëzuar 2,000 kërkesa, derisa ky institucion bën të ditur se së shpejti do të organizohet edhe një fushatë tjetër për këtë qëllim.

Dënim me burgim për ata që posedojnë armë pa leje

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës. Ky kod parasheh gjobë deri në 7,500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Derisa kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, arrin vlerën e rreth 300 eurove.

Ligji për armët rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, e shumë çështje tjera. Armët ndahen në kategorinë A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës etj.

Që një person të posedojë armë, sipas ligjit, duhet të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike, të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës e shumë kushte tjera që përcaktohen me ligj.

Armët ilegale, sipas ekspertëve të sigurisë, shiten nga persona privatë, e që pastaj paraqet problem për të ditur se kujt i takon arma në rastet kur ndodh një vrasje.

Në Kosovë janë të licencuara disa poligone të cilat shesin armë në mënyrë legale. Në kompaninë Reload Arms, tregojnë se çmimet për blerjen e tyre shkojnë nga 200 deri 4,000 euro, varësisht nga lloji i armës së zjarrit për të cilën klienti është i interesuar që ta posedojë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG