Ndërlidhjet

Armëpushimi ndal luftimet në kufirin midis Taxhikistanit dhe Kirgizisë


Ushtarët e Kirgizisë duke bërë roje në Kok-Tash, pranë kufirit me Taxhikistanin. Maj, 2021.
Ushtarët e Kirgizisë duke bërë roje në Kok-Tash, pranë kufirit me Taxhikistanin. Maj, 2021.

Autoritetet në Kirgizi dhe Taxhikistan arritën një marrëveshje armëpushimi më 28 janar, pas përleshjeve në kufi, që lanë të vdekur të paktën dy persona dhe shumë të plagosur.

Luftimet më 27 janar ishin më të ashprat ndërmjet Taxhikistanit dhe Kirgizisë, qëkur përleshje të tilla shpërthyen vitin e kaluar që lanë të vrarë dhjetëra persona.

Përleshjet e fundit ndodhën përgjatë një segmenti të kufirit, pas mospajtimeve lidhur me bllokimin e një rruge.

Komiteti për Siguri Kombëtare i Taxhikistanit tha se dy civilë janë vrarë dhe dhjetë persona të tjerë janë plagosur, përfshirë gjashtë forca të sigurisë dhe katër civilë.

Ministria e Shëndetësisë së Kirgizisë tha se shtatë persona të plagosur janë dërguar në spital, ndërkaq Ministria e Emergjencave tha se 1,470 kirgizë u evakuuan nga zona ku u zhvilluan luftimet.

Po ashtu, banorët pranë zonës së luftimeve, në pjesën e Taxhikistanit janë evakuuar, raportuan mediat.

Koalicioni i udhëhequr nga Rusia i Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – aleancë ushtarake ku bën pjesë edhe Taxhikistani dhe Kirgizia – tha se do të mbajë bisedime me zyrtarët ushtarakë të të dyja palëve me qëllim që të ndalen luftimet.

Në orët e para të 28 janarit, Shërbimi Kufitar kirgiz tha se është arritur një armëpushim i plotë pasi zyrtarët e të dyja palëve zhvilluan bisedime. Sipas marrëveshjes, të dyja palët do të tërheqin trupat dhe pajisjet nga kufiri, do të rihapin autostradën bllokuar dhe do të krijojnë një patrullë të përbashkët kufitare.

Më herët, të dyja shtetet kishin akuzuar njëra-tjetrën se kanë nxitur luftimet, që ndodhën në zonën Tort-Kocho në rajonin Batken të Kigizisë.

Pothuajse gjysma e kufirit prej 970 kilometrash mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit ende nuk është demarkuar dhe kjo ka bërë që tensionet të rriten mes dy shteteve, pasi të dyja u pavarësuan pas rënies së Bashkimit Sovjetik tri dekada më parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG