Ndërlidhjet

Arbnor Spahiu dyshohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë


Policia e Kosovës në afërsi të Banjskës.
Policia e Kosovës në afërsi të Banjskës.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radion Evropa e Lirë.

Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.

“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.

Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.

Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë, Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.

Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë rast dhe me pretendimet e avokatit.

Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.

Për sulmin në Banjskë - ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut - Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG