Qytetarët dhe shoqëria civile, janë duke e kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tashmë ka shpallur kandidaturën për kryetar të Prishtinës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Sipas tyre, Vitia nuk duhet të largohet nga ministria në kohën kur në Kosovë numrat e të infektuarve nga COVID-19 po rriten çdo ditë.
Mara Çeta nga Gjakova thotë se është e kënaqur me punën e Arben Vitisë si ministër.
Çeta, 71-vjeçare, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai nuk duhet ta lë në gjysmë këtë punë, që ajo e cilëson të mirë.
“Ai duhet të jetë ministër sepse ka qenë deri tash. Ai e ka pasur vendimin për ministër të Shëndetësisë e jo për të kandiduar për kryetar komune. Duhet të qëndrojë derisa të kryhet pandemia, atëherë herën tjetër le të kandidojë. Mua më është dukur që ka shërbyer mirë”, thotë ajo.
Mirëpo Nevzad Fushtica nga Prishtina dhe Mustafë Mustafa nga Vushtrria, nuk e vlerësojnë punën e ministrit Arben Vitia. Sipas tyre, Vitia ka dështuar që të mbrojë qytetarët nga COVID-19.
“Për mua zero. Këqyri sa infektimet”, thotë Fushtica.
“Ai është dashur të japë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në momentin kur ka menduar t’i futet garës për kryetar të Prishtinës. Është dashur të japë dorëheqje”, thotë Mustafa.
FOL: Ikje nga përgjegjësia
Kandidimi i ministrit, Arben Vitia për kryetar të Prishtinës ligjërisht nuk ka ndonjë pengesë. Ai mund të mbajë pozitën e ministrit deri në certifikimin e zgjedhjeve të 17 tetorit, dhe në rast se bëhet kryetar i kryeqytetit, atëherë duhet ta lirojë pozitën e ministrit.
Mirëpo, Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, thotë se ministri Vitia nuk duhet të largohet nga Ministria e Shëndetësisë, në kohën kur numrat e të infektuarve janë në rritje.
“Vërtetë nuk është etike një gjë e tillë, sidomos në këtë kohë kur situata me pandeminë nuk po menaxhohet si duhet dhe kemi rritje rekorde të numrit të të infektuarave, fatkeqësisht edhe të të vdekurve, numri është mjaft i lartë. Kjo, në këtë rast, më duket si ikje nga përgjegjësia si ministër i Shëndetësisë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, qeveria do duhej të merrte masa dhe ta ketë prioritet shëndetësinë.
“Pasi ministri Vitia vendosi ta mbajë këtë pozitë vërtetë jam kurioze të di se si do të arrijë edhe të jetë në fushatë zgjedhore e po ashtu edhe të menaxhojë me shëndetësinë, kur dihet se këto zgjedhje janë të rregullta dhe fushata parazgjedhore do të zgjasë 30 ditë”, thotë Demolli-Nimani.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ditë më parë ka thënë se i gjithë fokusi i tij “do të jetë në Ministrinë e Shëndetësisë, derisa të ketë rezultate të mira në raport me pandeminë”.
“Ju duhet ta keni parasysh se 17 tetori natyrisht nuk do të më gjej si ministër të Shëndetësisë, por deri në atë kohë do të jap maksimumin, ashtu siç jam duke bërë tani”, tha para gazetarëve ministri Vitia më 20 gusht.
Radio Evropa e Lirë ka provuar të kontaktojë me ministrin Vitia, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve. Për kandidimin e tij nuk kanë komentuar as në partinë e tij, në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Qeveria e Kosovës: Vitia i fokusuar në rolin e tij si ministër
Përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë mbështetjen për kandidimin e ministrit, Arben Vitia për kryetar të Prishtinës.
Aty thuhet se vaksinimi po shkon në drejtim të përmbushjes së zotimit që 60 për qind e qytetarëve të vaksinohen deri në fund të vitit dhe nëse ky trend vazhdon, qeveria pret që ky objektiv të arrihet më herët.
“Kandidimi i tij për kryetar komune nuk përbën shpërqendrim, e për më tepër që fushata fillon vetëm më 17 shtator, pra pas gati një muaj, dhe që ministria Vitia është kryetar i qendrës së LVV-së në Prishtinë, që do të thotë se ka një strukturë dhe rrjet të gjerë të aktivistëve që do të angazhohen në fushatën e tij”, thuhet në përgjigje.
Në këtë përgjigje thuhet po ashtu se Qeveria e Kosovës “ka marrë masa të reja kundër pandemisë dhe ka rritur kapacitetet për t’iu përgjigjur interesimit të qytetarëve për vaksinim”.
Në shtatë ditët e fundit në Kosovë (përfshirë 23 gushtin) kanë vdekur 57 pacientë nga koronavirusi dhe janë shënuar mbi 12 mijë raste të reja me COVID-19 .
Facebook Forum