Apple e ka njoftuar Radion Evropa e Lirë (RE:L) se e ka hequr aplikacionin e Current Time nga versioni rus i App Store, me kërkesë të Roskomnadzorit, agjencisë ruse për rregullimin e mediave.
Në një letër drejtuar REL-it, Apple sqaroi se arsyeja e heqjes së aplikacionit është se ai përmbante përmbajtje që cilësohet e paligjshme në Rusi dhe materiale nga një organizatë që autoritetet ruse e kanë shpallur "të padëshiruar".
Current Time është rrjet televiziv dhe platformë digjitale në gjuhën ruse, e udhëhequr nga REL-i.
REL-i, një organizatë e pavarur mediatike e financuar nga fondi i Kongresit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale, transmeton në 27 gjuhë në 23 vende të botës, kryesisht në rajone liria e medias është e kufizuar.
Projektet e REL-it në gjuhën ruse janë vënë nën trysni të shtuar nga Qeveria, veçanërisht pasi Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.
REL-i nuk e ka komentuar deri tani vendimin e Apple.
Pasi Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Roskomnadzor bllokoi faqet e internetit të REL-it, përfshirë ato të Shërbimit rus të njohur si Radio Svoboda dhe Current Time.
Më 6 mars 2022, REL-i pezulloi punën në Rusi, pas masave të ashpra të Qeverisë ruse, duke përfshirë një kërkesë nga Shërbimi Federal i Tatimeve i Rusisë për ta shpallur falimentimin e degës ruse të organizatës.
Sipas REL-it, këto masa ishin kulmi i përpjekjeve shumëvjeçare të Qeverisë ruse për të penguar punën e tij.
Ministria e Drejtësisë e Rusisë e shpalli zyrtarisht REL-in si organizatë “të padëshirueshme” në shkurt 2024.
Veprimi i Apple për ta plotësuar kërkesën e autoriteteve ruse është pjesë e një tendence më të gjerë. Gjiganti amerikan i teknologjisë ka hequr 25 shërbime VPN nga App Store në korrik dhe 98 të tjera në shtator.
Këto masa kanë shkaktuar shqetësime në mesin e mediave të pavarura, OJQ-ve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët e kanë akuzuar Apple për ndihmimin e shtypjes së lirisë së fjalës në Rusi. Ata i kanë bërë thirrje Apple që të përmbahet nga veprimet që cenojnë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe t’i rikthejë aplikacionet e bllokuara VPN.