Ndërlidhjet

Amnesty International e quan të paligjshme marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët


Emigrantë në një anije shpëtimi në Detin Mesdhe, pranë ishullit Lampedusa të Italisë, gusht 2022.
Emigrantë në një anije shpëtimi në Detin Mesdhe, pranë ishullit Lampedusa të Italisë, gusht 2022.

Amnesty International ka thënë se marrëveshja ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar në Detin Mesdhe në qendrat e ndalimit në Shqipëri, është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”.

Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan një marrëveshje sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.

Por, Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale në Amnesty International, tha se njerëzit që shpëtohen nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe për këtë arsye nuk mund të dërgohen në një vend tjetër para se kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale të jenë shqyrtuar.

“Ajo është e jashtëligjshme, e pazbatueshme dhe duhet të shfuqizohet”, tha ajo.

Ajo e akuzoi Italinë se përmes kësaj marrëveshjeje po përpiqet ta shmangë ligjin ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian “duke pretenduar se njerëzit e ndaluar do të mbesin nën juridiksionin italian”.

Qeveria shqiptare njoftoi të martën se Italia ia ka ndarë tashmë 16.5 milionë euro si paradhënie për shpenzimet e mbajtjes së emigrantëve në kampe në territorin e saj në bazë të marrëveshjes.

Dy kryeministrat deklaruan se marrëveshja ka tre objektiva “të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.”

Por, De Pieri tha se marrëveshja ka të bëjë me “kthimin” e emigrantëve, një praktikë e cila është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilin Italia është dënuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e njeriut në vitin 2012, për kthimin mbrapsht në det të emigrantëve dhe azilkërkuesve afrikanë.

Ajo paralajmëroi “pasoja të rënda” për njerëzit që kërkojnë azil, duke shtuar se ata mund të mbahen gjatë në qendrat e ndalimit dhe mund të përballet me shkelje larg monitorimit nga autoritetet gjyqësore italiane.

Kjo marrëveshje shkaktoi reagime të shumta në të dyja shtetet, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës.

Amnesty International i bëri thirrje Qeverisë së Italisë t’i përmbushë detyrimet e veta nga ligji ndërkombëtar për moskthimin e emigrantëve, si dhe i bëri thirrje Komisionit Evropian të mos i lejojë vendet anëtare ta shkelin të drejtat e azilkërkuesve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG