Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i bëri komentet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse është në dijeni për ndonjë kërcënim të tillë që ka ekzistuar së voni.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha javën e kaluar se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë, duke theksuar se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
Deklarata e saj nxiti reagimin e të dërguarit të Trumpit për misione speciale, Richard Grenell, i cili e akuzoi atë për manipulim të fjalëve të presidentit.
“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.
Deklaratat e Osmanit i hodhi poshtë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.
Çfarë tha Trump?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.
Më 25 qershor, Trump tha se "gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për media në samitin e NATO-s në Hagë.
Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”
Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se "për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu".
"Serbia, e dini, po përgatitej të shkonte në luftë me një grup. Nuk dua ta përmend, sepse nuk ndodhi – ne arritëm ta ndalnim. Por, kam një mik në Serbi që më tha: 'Do të hyjmë sërish në luftë'. Dhe nuk dua të them që është Kosova, por është Kosova. Do të niste një luftë e madhe, por ne e ndalëm. E ndalëm për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. U thashë: ne nuk tregtojmë me ata që hyjnë në luftë".
Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.
Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.
Ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për media, por nuk saktësoi më shumë.
Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë.