Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, në lidhje me projektin e bashkimit të serbëve kudo që janë, të cilët do të ruheshin nga Ushtria serbe në vendet e rajonit, është perceptuar si ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe si paralajmërim i kthimit të politikës destruktive të Serbisë.
Bosnje dhe Hercegovina i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të distancohet nga agjenda politike e Vulinit. Ndërkaq nga Kosova vijnë vlerësimet që porositë kërcënuese të Vulinit pasqyrojnë politikën e Beogradit zyrtar. Nga Mali i Zi, Vulinin e mbështet Fronti Demokratik, parti kjo në pushtet.
Vulin: Më Vuçiqin drejt “Botës serbe”
Ideja e “Botës serbe”, të cilën tash e disa kohë është duke proklamuar ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin dhe të cilën ide ai e ka ripërsëritur më 18 korrik, e kthen Serbinë në vitet 90-të të shekullit të kaluar dhe është formë e kërcënimit për vendet e rajonit në përgjithësi, kanë vlerësuar zyrtarë të vendeve të rajonit dhe njohës të zhvillimeve politike.
Deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, se detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që “të krijojnë botën serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”, ka nxitur reagime të shumta në rajon.
Deklaratat e tilla Vulin i ka bërë në shënimin e 13-vjetorit të subjektit politik që ai drejton, Lëvizjes Socialiste, në të cilën ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe.
“Në mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, Serbia duhet të udhëhiqet mirë, duhet të ketë një ushtri që është në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka që të vazhdohet politika e Aleksandar Vuçiqit. Vetëm ajo është fitore, vetëm ajo është një garanci për mbijetesën e popullit tonë dhe asgjë tjetër”, ka thënë Vulin.
Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte mysafir nderi në shënimin e 13-vjetorit të Lëvizjes Socialiste, ka thënë që këtë parti nuk e sheh “vetëm si partnere të koalicionit, por si bashkëluftëtare për Serbinë e fortë, moderne dhe të lirë”.
Kosova: Deklarata e Vulinit, vazhdim i diskursit nacionalist
Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, kanë theksuar se deklarata e ministrit serb Aleksandar Vulin, nuk paraqet befasi.
Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ministri serb Vulin “është i njohur për qëndrimet e tij ultra nacionaliste”.
“Kjo deklaratë nuk përbën asgjë të re. Deklaratat serbomëdha janë vetëm vazhdim i diskursit të viteve të 90-ta, të kohës të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, të cilat prodhuan luftëra dhe pasojat e të cilave ende po i bartim. Kjo retorikë duhet gjykuar edhe nga autoritetet e BE-së, pjesë e së cilës synon të bëhet Serbia. Një deklarim i tillë, gjithashtu është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e administratës së presidentit Biden për mosndryshimin e kufijve të shteteve në rajon”, ka thënë Kupina.
Ai ka shtuar se shteti që përfaqëson Vulini ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë, ndaj rikthimi i diskursit kërcënues me “bashkimin e serbëve”, është tregues se Serbia nuk po arrin as sot e kësaj dite të shkëputet nga politika gjenocidale e regjimit të Milosheviqit.
“Vulin në vend se ta projektojë Serbinë në BE, po e dëshiron 'Serbinë e madhe'. Në real-politikë, e para e përjashton të dytën fuqishëm”, ka thënë këshilltari i presidentes së Kosovës.
Deklaratat e Vulinit janë bërë një ditë para se në Bruksel të takohej kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, proces ky i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti: Keqardhje që Vuçiqi nuk distancohet nga deklaratat e Vulinit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur të hënën, më 19 korrik, me presidentin e Serbisë, Vuçiq, ka deklaruar se gjatë takimit është prekur edhe çështja e deklaratës së Vulinit për "Botën serbe”.
Kryeministri Kurti, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me këtë çështje, ai ka theksuar se nga presidenti serb nuk është distancuar nga deklaratat e Vulinit.
“Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk distancohet as nga Vulini, as nga (Ivica) Daçiqi, as nga (Slobodan) Milosheviqi e nga kushdo qoftë që ka qenë në pushtet gjatë viteve të 90-ta. Kjo është vërtetë për keqardhje. Fakti që kemi dhjetë vjet dialog në Bruksel, pa një marrëveshje përfundimtare, është për shkak se ekziston kjo rezistenca problematike për t’u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kurti.
Bosnja e Hercegovina: Vuçiq të distancohet nga deklarata e Vulinit
Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, tha se ajo priste që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të distancohej menjëherë nga deklaratat e ministrit Vulin, për bashkimin e “Botës serbe”.
Në qoftë se Vuçiq nuk e bën këtë, Turkoviq beson që kjo vetëm do të konfirmojë se politika zyrtare e tij dhe e Serbisë është përmbysja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe që synon të bashkojë me Serbisë pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës.
"Deklarata e Vulinit, në të cilën ai vendosmërisht tha se bashkimi i serbëve do të thotë një ‘shtet i unifikuar’, do të thotë shkeljen flagrante të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, destabilizim të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe një kërcënim ogurzi për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që mbroheshin nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më parë. Një retorikë e tillë i bën absolutisht të pakuptimta të gjitha deklaratat dhe politikat e presidentit serb, Vuçiq me të cilat ai pretendon se Serbia dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnjën dhe Hercegovinën”, ka thënë Turkoviq.
Vulin: Deklaratat janë vetëm të miat
Vulin, më 19 korrik, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme të Bonjë e Hercegovinë, Bisera Turkoviq.
Ai theksoi se idetë dhe deklaratat e tij ishin vetëm të tijat.
“Aleksandar Vuçiq dhe unë jo gjithmonë kemi të njëjtin mendim për çdo çështje dhe nëse keni ndonjë pyetje lidhur me pikëpamjet e mia, ma dërgoni mua, do të merrni një përgjigje të zëshme që mund ta kuptoni. Për të hyrë në diskutim me Vuçiqin, ju megjithatë do të duhet të gjeni fjalët e tij dhe të provoni që t’i kontestoni. Por, paraprakisht, na tregoni se kush tentoi ta vriste Aleksandar Vuçiqin në Srebrenicë dhe pse nuk janë ende emra autorëve dhe urdhërdhënësve”, ka thënë Vulin, sipas një deklarate nga ministria që ai drejton.
Deklarata e tij i referohet ngjarjes nga viti 2015, kur Vuçiq, si kryeministër i Serbisë, mori pjesë në përkujtimin për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në Potoçari, ku disa pjesëmarrës, të pakënaqur me praninë e tij, filluan të hidhnin shishe plastike dhe sende të tjera ndaj tij.
Në vazhdim të deklaratës, Vulin përkujton se në deklaratën e tij më 18 korrik, ai ka thënë se “serbët do të bashkohen paqësisht, pa asnjë plumb kur të plotësohen kushtet për një gjë të tillë”.
“Nëse kanë mundur gjermanët, pse nuk munden edhe serbët, apo ju jeni edhe kundër një Gjermanie të bashkuar?”, ka pyetur Vulin, Bisera Turkoviqin.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Turkoviqit që të distancohej nga deklarata e anëtarit të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, se Kosova është e pavarur dhe se ai do ta njihte Kosovën.
Përndryshe, siç deklaroi ai, “unë do të konsideroj që ju mbështesni copëtimin e Serbisë dhe se doni të shkëputni një pjesë të vendit tim”.
Në Mal të Zi, “për” dhe “kundër”
Mbështetja e parë për Vulinin lidhur me idenë e realizimit të projektit “Bota serbe”, ka ardhur nga përfaqësuesi pro-serb i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq.
Në televizionin N1, Mandiq ka deklaruar se ideja e “Botës serbe”, për të cilën ka folur ministri serb Vulin, u ka pëlqyer serbëve përtej kufirit të Serbisë. Ai ka theksuar se tashmë po punohet për realizimin e një ideje të tillë.
"Serbë nga Mali i Zi, serbë nga Republika Serbe, serbë nga Maqedonia (e Veriut), ata kufij që ekzistojnë mes nesh nuk duhet të ekzistojnë në kokën e tyre. Pastaj ne do të bashkëpunojmë më mirë, do të jemi më afër njëri-tjetrit, në fund të fundit ne jemi një popull”, tha Mandiq.
Lëvizja Qytetare URA vlerëson se të gjitha “projektet” që propozojnë shënjimin e kufijve të rinj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë projektin “Bota serbe”, janë të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit dhe ndikojnë në nacionalizmin në rritje.
Nënkryetarja e partisë, Jovana Maroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se është problematike që “projekti” u mbështet publikisht nga udhëheqësi i Frontit Demokratik, Andrija Mandiaq, por që pozicioni i tij nuk mund të interpretohet si pozicion i qeverisë.
“Qeveria u formua në bazë të parimeve të përcaktuara në marrëveshje nga shtatori i vitit të kaluar, dhe vetëm një qeveri që funksionon në përputhje me ato parime mund të ketë mbështetjen e lëvizjes qytetare URA, dhe jo projektet e bazuara në nacionalizëm”, theksoi Maroviq.
Gjukanoviq: Gabim i njëjti, sikurse i Milosheviqit
Dy ditë më parë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjokanoviq, kishte folur për rreziqet e idesë së një bote serbe.
Në konferencën “Ballkani Perëndimor: Një pjesë kryesore e enigmës së sigurisë evropiane”, që u mbajt në Bratislavë, më 16 korrik, Gjukanoviq tha se Serbia nuk e ka pranuar kurrë pavarësinë e Malit të Zi dhe se ai e sheh Malin e Zi si pjesë të “Botës serbe”.
"Kur shihni qëndrimin e Serbisë në rajon, ai rol është potencialisht shkatërrues, sepse Serbia është kthyer në politikat e fillimit të viteve të 90-ta. Serbia është këtu për të ruajtur interesin e serbëve kudo që ata jetojnë në rajon. Ky është i njëjti gabim që kishte bërë Slobodan Milosheviq në vitet e 90-ta. E dimë se çfarë ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë”, vuri në dukje Gjukanoviq.
Ai tha se presidenti i Serbisë, Vuçiq po përpiqej të paraqiste mbrojtjen e interesave të popullit serb në Malin e Zi, si një qëllim të ligjshëm.
“Ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi nuk mund të jetë një qëllim legjitim. Më vjen keq që Serbia po përsërit gabimet dhe kam frikë se është një potencial real për krijimin e paqëndrueshmërisë në rajon. Serbia po e bën atë duke u bazuar në mbështetjen e Moskës”, theksoi Gjukanoviq.
Maliqi: Serbia në pikën zero të viteve të 90-ta
Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që deklaratat e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, duhet parë në rajon si një formë kërcënimi dhe se ato e shpërfaqin më qartë dhe më drejtpërdrejtë atë që është politika e Serbisë në rajon.
Sipas tij, Vulin prej kohësh i artikulon në mënyrë më të drejtpërdrejtë ato që janë vërtetë qëndrimet e presidentit serb, Vuçiq. Siç thotë Maliqi, kjo vërtetohet edhe me faktin që vet Vulin e thotë që ideja e “Botës serbe”, e cila është një eufemizëm për “Serbinë e madhe”, mund të realizohet vetëm duke e ndjekur politikën e Vuçiqit. Ndërkaq, ky i fundit, sipas Maliqit, e ka komentuar deklaratën e Vulinit duke thënë se atë e ka “më shumë se partner të koalicionit”.
“Unë këtë e shoh si kërcënim, si konfirmim i faktit që Serbia jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është kthyer në pikën zero të viteve të 90-ta, me strategji dhe taktikë më ndryshe, duke e vënë theksin te ekonomia së pari. Por, duke e potencuar dhe duke e lënë gjithmonë të hapur opsionin militarist, që do të thotë të projektit të ‘Serbisë së madhe’ të rikonceptuar, por edhe duke e lënë gjithmonë të hapur rikthimin te luftërat”, tha Maliqi.
Ai shtoi se politika që po ndjekë Serbia, bazuar edhe në deklaratat e Vulinit, janë të rrezikshme dhe kërcënim real. Kjo sipas tij, vërehet nga fryma, të cilën regjimi në Serbi po e krijon në opinionin publik.
“Një shtet dhe një regjim i cili synon paqen, nuk i fryn luftës në opinionin publik dhe nuk militarizohet në masën në të cilën është militarizuar Serbia në vitet e fundit. Kështu që, padyshim që kërcënimi është real. Serbia, në mënyrë deklarative synon paqen, por paqen me kushtet e saj, të cilat kushte janë të papranueshme për fqinjët. Kështu që unë mendoj që Vuçiq, realisht, e lë hapur mundësinë për një luftë në këtë dekadë që jemi futur”, vlerësoi Maliqi.
Biserko: Të caktohen vijat e kuqe për Serbinë
Sonja Biserko, themeluese e organizatës joqeveritare Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deklaratat e Vulinit nuk e befasojnë sepse, sipas saj, ai ka pasur edhe më herët deklarata të tilla. Ajo rikujton tekstin autorial të Vulinit, të vitit të kaluar, në të përjavshmen serbe “Peçat”, në të cilin për herë të parë ka thënë se detyrë e gjeneratës së tij të politikanëve, është që t'i bashkojnë të gjithë serbët.
“Tash, në përvjetorin e Lëvizjes së Socialistëve, i cili në njëfarë mënyre është fillim i fushatës për zgjedhjet presidenciale, ai i tha të gjitha ato porosi kërcënuese dhe të rrezikshme për të gjithë rajonin, gjë të cilën, për më shumë, e përkeqëson që presidenti Vuçiq ishte i ulur aty dhe nuk u distancua nga ato që u thanë”, theksoi Biserko.
Duke iu referuar pranisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kremtimin, në të cilin Vulin e quajti atë president i ardhshëm i të gjithë serbëve, Biserko shprehet se Vulin thotë atë që mendon Vuçiqi.
“Kjo është diçka me të cilën ata tundohen për çdo ditë, që të shohin se sa larg mund të shkojnë dhe sa do t'i tolerojë bashkësia ndërkombëtare. Natyrisht, kur të krijohet ai realitet, atëherë është shumë vështirë që ai të kthehet në gjendjen e mëparshme”, tha Biserko.
Themeluesja e Komitetit të Helsinkit shtoi se ky është fillimi i fushatës për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm, por prekje e pulsit të bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën ajo thotë se shpreson që do t’i vendosë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për deklarata dhe aspirata të tilla.
“Duhet të caktohen vijat e kuqe për politikanë të tillë në rajon, marrë parasysh që kufijtë ndërkombëtarë në Ballkan tashmë janë të pranuar dhe që ata nuk ndryshojnë më. Por, gjithsesi që nxitjet e këtilla dhe në njëfarë mënyre edhe kontestimi i kufijve tashmë të pranuar në rajon, nënkupton destabilizim serioz të rajonit, sidomos sepse bëhet fjalë për vende të vogla dhe të pakonsoliduara në fqinjësi, mbi të cilat, Serbia, si një vend më i madh në rajon, shumë lehtë mund të ndikojë në kuptimin e destabilizimit”, u shpreh Biserko.
Vujoviq: Serbia po e imiton Rusinë
Zlatko Vujoviq, analist i çështjeve politike nga Mali i Zi, në një bisedë me Radion Evropa e lirë, vlerëson që kur bëhet fjalë për orientimin ideologjik, Serbia po shkon gjithnjë e më shumë drejt Rusisë.
“Serbia, nën presidentin Vuçiq, po përpiqet të imitojë sjelljen e Rusisë, si një fuqi rajonale që përfaqëson një fqinj të rrezikshëm për të gjithë ata që ndajnë kufijtë me të”, tha Vujoviq.
Por, siç shprehet ai, Serbia nuk ka burime si Rusia për të krijuar konflikte të ngrira, siç krijoi Rusia në Gjeorgji, Moldavi, Ukrainë, por të përpiqet të destabilizojë rajonin përmes luftës mediatike, duke përdorur komunitetet kombëtare të saj që jetojnë në vendet e tjera.
Kjo krijon konflikt midis Serbisë dhe Perëndimit, thotë Vujoviq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai pret reagimin e Bashkimit Evropian ndaj afirmimit të “Botës serbe”.
“Kjo është diçka që çon gjithnjë e më thellë në konflikt me politikën e SHBA-së, me presidentin (Joe) Biden, por gjithashtu edhe me atë që do të duhej të ishte politikë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, Bashkimi Evropian, në shtatë apo tetë vjetët e fundit, nuk ka politikë të qartë për Ballkanin Perëndimor. Për këtë shkak, presidentit Vuçiq i është hapur mjaft hapësirë”, tha Vujoviq.
Ai vlerëson se vetë Vuçiqi e përdor këtë situatë për të zbatuar politikën e tij rajonale.
“Ndonëse Vuçiq i bën disa lëvizje të mira taktike, ai po bën po bën gabime të mëdha strategjike. Duke krijuar një hendek me Shtetet e Bashkuara dhe duke thelluar ndikimin e Rusisë në Serbi, duke u bërë një instrument i politikës ruse në Ballkanin Perëndimor. Vuçiqi në terme afatgjata, afatmesme dhe kam frikë edhe në afatshkurta, po e shemb pozicioni mbi të cilin e ka ndërtuar sundimin në Serbi”, tha Vujoviq.
Prej kur përmendet termi “Bota serbe”?
Termi “Bota serbe” u përdor për herë të parë nga Aleksandar Vulin, më 26 shtator 2020, derisa ishte shef i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
“Vuçiq duhet të krijojë ‘Botën serbe’. Beogradi duhet të mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërkaq që presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, pati thënë Vulin.
Ai më vonë pati folur më hollësisht për atë që ai e konsideroi termin “Bota serbe”, duke aluduar në nevojën e bashkimit të popullit serb në një shtet të vetëm.
Serbia i thekson lidhjet e ngushta, duke financuar mjediset me popullsinë serbe në të gjitha vendet në rajon. Gjatë vitit 2017, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Republikës Serbe, entitet ky brenda Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, patën paralajmëruar gjithashtu Deklaratën për mbijetesën e popullit serb në rajon, por ajo nuk është miratuar deri më sot.
Facebook Forum