Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kritikuar shoqërinë civile, pasi sipas saj ata nuk reagojnë ndaj Listës Serbe kur “kjo fyen gjithçka të Republikës sonë”.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë të Veriut nga Lista Serbe, ata sërish “fyen [kryeministrin në detyrë, Albin] Kurti” dhe “prisnin kohën për t’u ‘çliruar’ nga ai dhe thërrisnin ‘vëlla Millanin’”.
Haxhiu tha se edhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe për zgjedhjet e tetorit partia e saj kishte kërkuar që Lista Serbe të mos certifikohej për zgjedhje, atëherë kishte pasur reagime, por jo edhe pas tubimit të mbajtur në Mitrovicë të Veriut.
“Shoqëria civile, e gatshme kundër LVV-së kur kjo kundërshtonte Listën Serbe, ndërkaq sot në gjumë kur kjo fyen gjithçka të Republikës sonë”, shkroi ajo.
Disa orë pas postimit të Haxhiut, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës reagoi, duke thënë se fushatat e Listës Serbe “gjithmonë janë ndërtuar mbi retorikë nxitëse dhe gjuhë fyese ndaj institucioneve të Kosovës”.
“Kjo qasje provokuese u pa qartë edhe në hapjen e fushatës së tyre, ku u shfaq një baner me emrin e kryeterroristit Millan [Radoiçiq], i kamufluar në atë mënyrë që më pas të thuhet se ishte fjala për kandidatin e Listës Serbe për kryetar komune – i cili mban të njëjtin emër”, shkroi ai në Facebook.
Cakolli kërkoi që kjo çështje të adresohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Atje, Lista Serbe ose do të detyrohet të distancohet publikisht nga emri i Radoiçiqit, duke e lidhur qartë përdorimin e emrit ‘Millan’ me kandidatin e tyre, ose do të gjobitet rëndë. Ose edhe të dyja bashkë”, shkroi ai.
Në Mitrovicë të Veriut u shfaq një baner ku thuhej “të gjithë me vëllain tonë Millanin” – që duket se është referencë për Millan Radojeviq, kandidatin e Listës Serbe për kryetar të kësaj komune.
Megjithatë, Cakolli tha se baneri ishte për Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Ai besohet se është në Serbi dhe Kosova kërkon ekstradimin e tij me qëllim që të përballet me drejtësinë, teksa Prokuroria në Kosovë ka ngritur aktakuzë ndaj tij për sulmin në Banjskë ku u vra një polic i Kosovës.
Çfarë thanë anëtarët e Listës Serbe gjatë tubimit në Mitrovicë të Veriut?
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, merr pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gjatë tubimit në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët e kësaj partie thanë se duan “të rikthejmë komunat tona, le ta rikthejmë Mitrovicën”.
Katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi udhëheqësit paraprakë serbë dhanë dorëheqje dhe Lista Serbe dhe serbët gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e mbajtura në prill të vitit 2023.
Gjatë tubimit, nënkryetari i Listës Serbe, Ivan Zaporozhac, tha se në tre vjetët e fundit, serbët në Kosovë janë “përballur me presion të madh” duke kritikuar politikat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që sipas tij, “po tenton të na i marr të drejtat, lirinë dhe dinjitetin çdo ditë”.
Ai përmendi përpjekjet e LVV-së së Kurtit për të mos e certifikuar Listën Serbe për këto zgjedhje.
Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq – që kishte udhëhequr këtë komunë para se të jepte dorëheqje në fund të vitit 2022, gjatë tërheqjes kolektive të zyrtarëve të Listës Serbe nga insttiucionet e Kosovës për shkak të disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës – tha se qytetarët serbë duan që “ta rimarrim qytetin tonë”.
LVV-ja kishte kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që votoi për moscertifikimin e kësaj partie.
Por, më pas PZAP-i dhe Gjykata Supreme hodhën poshtë vendimin e KQZ-së, duke i mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 12 tetorit.