Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Ai tha se është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë fer e të hapur “në mënyrë që të mos ketë kërcënime dhe në fund bojkot sërish, e dalje të ulët”.
“Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet me dhunë, nuk mund të bëhet duke plagosur ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës apo gazetarët, por vetëm me zgjedhje të parakohshme. Dhe, për këtë neni 72 për vetëqeverisje lokale e shpjegon shumë qartë se si duhet të fillohet me mbledhjen e 20 për qind të elektoratit të githëmbarshëm si nënshkrime të një peticioni që e nisin procesin për ato zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 5 korrik.
Kurti hodhi poshtë pretendimet se nuk po arrihet shtensionimi i situatës dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, pasi nuk ka një marrëveshje. Ai tha se Marrëveshje drejt normalizimit, që palët kanë nënshkruar në shkurt në Bruksel dhe aneksin e saj në Ohër një muaj më pas, ekziston dhe se ajo duhet të zbatohet në tërësi.
“Unë kam kërkuar dje që gjithçka që është në Marrëveshjen Bazë të figurojë edhe në sekuencën e zbatimit. Pra, të mos kemi diçka që e lëmë anash”, tha Kurti, duke shtuar se këtë kërkesë e ka bërë gjatë takimit që të martën zhvilloi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:
- Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
- Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
- Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to
Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë
Kryeministri kosovar foli edhe për tri kërkesat që BE-ja ja ka parashtruar atij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Për këto tri pika, unë praktikisht u kam thënë që në masë të konsiderueshme Qeveria ka shprehur gatishmërinë sepse për zgjedhjet e parakohshme ne jemi dakord dhe zgjedhjet e parakohshme e rregullojë edhe çështjen e kryetarit në komunën e Leposaviqit sepse me zgjedhje largohet kryetari”, tha ai.
Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.
Kurti tha se Qeveria e Kosovës “kurrsesi nuk kontribuon në përshkallëzimin” e tensioneve në veri.
Ai theksoi se duhen përgatitje për zgjedhjet e reja eventuale, në mënyrë që në to të marrin pjesë edhe partitë serbe.
“Shumë kollaj është të themi zgjedhje të parakohshme dhe unë jam për to, mirëpo në anën tjetër nëse nuk ke asnjë gram garanci që në zgjedhjet e ardhshme nuk përsëritet 23 prilli duhet të mendojmë e të përgatitemi më mirë”, tha Kurti.
Në zgjedhjet lokale të 23 prillit nuk morën pjesë partitë serbe dhe votimet u bojkotuan nga popullata serbe.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Serbisë që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve, pa kushte, në zgjedhjet e reja të mundshme në veri.
Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë.