Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi mes kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ishte një diplomaci fetare, “por një partneritet strategjik i regjimeve autoritare që vë rajonin në rrezik serioz”.
Kurti e cilësoi takimin e zhvilluar në Kremlin më 22 prill si “shqetësues” dhe tha se Kisha Ortodokse Serbe për një kohë të gjatë ka luajtur rol aktiv politik.
“Patriarku [Porfirije] bëri thirrje për një rreshtim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se ‘varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse’. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozita globale e Rusisë”, shkroi Kurti në X.
Kurti tha se deklarata e bërë nga Porfirije për rreshtimin gjeopolitik u bënë para se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vizitojë Moskën.
Vuçiq ka konfirmuar se ai do të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, vizitë që është kritikuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit në Kremlin, Porfirije kishte cituar fjalët e patriarkut e mëhershëm serb, Irinej, i cili kishte thënë se “varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse”.
“Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Sërpska [entitet në Bosnje e Hercegovinë] dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, deklaroi Porfirije.
Lidhur me deklaratat e patriarkut serb një ditë më parë kishte reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha se ato cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në gjithë rajonin.
Edhe nga Mali i Zi kanë reaguar për komentet e bëra nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe gjatë takimit në Kremlin me Putinin, duke i cilësuar si “të papërshtatshme dhe të papranueshme”.
Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe pavarësisht presionit nga Perëndimi që të vendosë sanksione ndaj Moskës, për shkak të luftës kundër Ukrainës, Beogradi nuk ka bërë një gjë të tillë.
Ndryshe, më 2022 Parlamenti Evropian kishte shprehur shqetësim për “përpjekjet e Kishës Ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe në entitetin e Bosnje e Hercegovinës, Republikën Sërpska, për ta promovuar Rusinë si mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar lidhjet mes shtetit dhe Kishës”.
Eurodeputetët, përmes një rezolute, e kishin dënuar përpjekjen e Rusisë për të shfrytëzuar tensionet etnike në Ballkanin Perëndimor “për të nxitur konflikte dhe ndarje mes komuniteteve”.