Ndërlidhjet

Kurti fton shqiptarët në Serbi të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Serbi të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës.

Ky proces ka nisur më 1 tetor dhe do të zgjasë deri në fund të po këtij muaji.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kurti tha se shqiptarët që jetojnë në Serbi “vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar e njerëzor, e së fundmi edhe me pasivizimin e adresave të tyre”.

Spas Kurtit, ky proces për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që t’i përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten e familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, tha Kurti.

Përfaqësuesit politikë nga të gjitha partitë që përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Serbi, përmes një deklarate të nënshkruar në korrik të këtij viti, u zotuan se do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Serbi.

Shqiptarët në jug të Serbisë – në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – kishin bojkotuar regjistrimin e popullsisë më 2011.

Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, kryesish në tri komunat në jug, që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës.

Në vazhdimësi, partitë politike të shqiptarëve në Serbi janë ankuar se pakica shqiptare përballet me diskriminim. Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimin për procesin e pasivizimit të adresave, që sipas politikanëve shqiptarë, po bëhet për të ndryshuar “strukturën etnike” të tri komunave ku jeton shumica e pakicës shqiptare në Serbi.

Më 2021, Komiteti i Helsinikit për të drejtat e njeriut në Serbi, tha se Beogradi zyrtar, në mënyrë që të ulë numrin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, po kryen procesin e “pasivizimit të banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Kosovë apo në shtetet evropiane.

“Kjo masë, në thelb, është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, thuhej në raportin e Komitetit të Helsinkit.

Sipas Komitetit të Helsinkit, kur një adresë e banimit pasivizohet dhe hiqet nga libri amëz në Serbi, “ai person praktikisht pushon së ekzistuari”. Personave që u pasivizohen adresat nuk mund të pajisen me letërnjoftim apo pasaportë të re. Rrjedhimisht, sipas Komitetit të Helsinkit, atyre u parandalohet të regjistrojnë makinën e tyre, të blejnë apo shesin prona, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe në shërbimet sociale dhe të votojnë në zgjedhje, qofshin ato lokale apo të përgjithshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG