Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me intensifikimin e sulmeve në veri, që sipas tij po kryhen nga “banda kriminale” të cilat "paguhen dhe dirigjohen nga Serbia", do të ketë edhe shtim të pranisë policore në këtë pjesë të shtetit.
Policia e Kosovës konfirmoi se më 6 dhjetor ka pasur disa incidente në kohën kur zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”, shkroi Kurti në Facebook.
Zyrtarët komunalë zgjedhorë, nën përcjelljen e policisë, kishin tentuar sot të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, por sipas autoriteteve, atyre iu pamundësua që të kryenin detyrat zyrtare.
Policia tha se zyrat e KQZ-së në veri janë dëmtuar me mjete të rrezikshme, përfshirë edhe "granata dore të prodhimit jugosllav".
Këto incidente vijnë në kohën kur KQZ-ja po vazhdon përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – pasi ato kanë mbetur pa kryetarë.
Kryetarët e këtyre katër komunave u dorëhoqën në nëntor, si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.
Zgjedhjet janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Por, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se incidentet e sonte dëshmuan se institucioni që ai udhëheq ka “qasje të kufizuar” në veri të vendit. Ai shtoi se nuk mund të rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë, teksa kërkoi që atyre t’u ofrohet siguri.
Ndryshe, pjesëtarët e komunitetit serb që ishin pjesë e Policisë së Kosovës po ashtu u larguan nga puna në nëntor, së bashku edhe me gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët serbë në institucionet qendrore.