Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë - të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës - avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë në atë sulm, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.
Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.
Për 42 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, është kërkuar gjykim në mungesë. Për ta u lëshuan fletarrestime ndërkombëtare nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me qëllim për t'i sjellë para gjykatës.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Në rastet e gjykimit në mungesë, që janë mundësuar në Kosovë me ndryshimet ligjore të vitit 2022, kërkohet që të shterohen të gjitha opsionet për ta siguruar prezencën e të akuzuarve. Në rastet e tjera të këtij lloji, Kosova u ka kërkuar autoriteteve në Serbi t'ua dërgojnë ftesën për marrje në pyetje të akuzuarve dhe rasti i gjykimit ka vazhduar vetëm pasi nuk është marrë përgjigje nga të akuzuarit.
Në seancën e së enjtes, pas deklarimit për fajësinë nga të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte "i mirëorganizuar".
Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.
Nga arkivi: Video-incizime të ushtrimeve në poligon ushtarak, testim i pajisjeve ushtarake dhe pamje të një kompleksi hotelier në Kopaonik të Serbisë, janë provat që për Prishtinën zyrtare dëshmojnë implikimin e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Për Tolliqin, i cili ishte gjetur i plagosur, u tha se ishte kapur me armë ushtarake, ndërsa për Spasojeviqin dhe Maksimoviqin u treguan fotografi me të akuzuar të tjerë të këtij rasti.
Në fjalën hyrëse, të akuzuarit Spasojeviq dhe Tolliq thanë se "nuk e kanë sulmuar apo vrarë askënd".
Spasojeviq tha se nuk ka synuar bashkimin e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, me Serbinë, ndërsa Tolliq tha se ai ka qenë në Banjskë më 24 shtator, por "për arsye tjetër" nga ajo që thuhet në aktakuzë.
Avokatët e tre të akuzuarve - Lubomir Pantoviq që mbron Spasojeviqin, Millosh Deleviq që mbron Tolliqin dhe Jovana Filipoviq që mbron Maksimoviqin - thanë se aktakuza "nuk i plotëson kriteret" e Kodit të Procedurës Penale.
Ata pretenduan se aktakuza nuk përshkruan veprimet individuale të të akuzuarve, por vetëm përshkruan në mënyrë të përgjithshme ngjarjen, pa treguar rolin që të akuzuarit kanë luajtur.
Pasi të gjitha palët mbajtën fjalët hyrëse, prokurori Abazi tha se mund të vazhdojë me marrjen në pyetje të të dëmtuarve, por i dëmtuari Qerim Shaqiri kërkoi shtyrjen e seancës për arsye shëndetësore.
Seanca e radhës u caktua për 9 qershor, për t'u ndjekur nga seancat e tjera që planifikohet të mbahen në ditët pasardhëse, më 11, 12 dhe 13 qershor.
Çfarë përmban aktakuza?
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.
Çka kanë thënë tre të akuzuarit?
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njëri prej tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim në Kosovë është mbrojtur në heshtje.
Një tjetër ka deklaruar në Stacionin policor të Mitrovicës më 24 shtator, 2023, se një ditë më herët ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me tre persona (po ashtu të akuzuar), me të cilët, në mënyrë të organizuar me disa vetura, kanë shkuar në Banjskë, ku u janë dhënë uniforma dhe armatim.
Atij i është thënë se “do të bëhet një barrikadë me kamion dhe një protestë, për të cilën ka menduar se është paqësore”.
“Por, pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por se është detyruar t’u bindet urdhrave”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ai ka thënë se gjatë natës ka qëndruar në një veturë dhe pastaj në afërsi të një ujëvare dhe në mal, dhe se “asnjëherë nuk ka shtënë me armë”.
Më vonë, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës.
Ai, po ashtu, ka deklaruar se rreth dhjetë vetura të tipit Jeep pa targa, kanë ardhur nga Serbia me rreth 50 persona, shumicën e të cilëve ka thënë se nuk i ka njohur.
“Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë presion apo kërcënim për të marrë pjesë në këtë grup dhe se vullnetarisht është bërë pjesë e tij...”.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.