Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, dhe zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj shkëmbyen akuza të ashpra në baza kombëtare.
Konflikti mes tyre zgjat për më shumë se një muaj.
Së voni, Mandiq e përshkroi Gjeloshajn si “shovinist” ndaj serbëve.
Partia e Gjeloshajt e quajti Mandiqin “shqiptarofob” që “nxit shovinizëm” në Mal të Zi.
Mandiq është një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik prorus dhe proserb, ndërsa Gjeloshaj i Alternativës Shqiptare.
Para pesë muajsh, ata u bënë partnerë të koalicionit, pasi partitë e Frontit Demokratik, me mbështetjen e deputetëve dhe partisë së Gjeloshajt, hynë në Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq.
Partia, udhëheqës i së cilës është Mandiq, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mbron heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO, mohon gjenocidin në Srebrenicë e të tjera.
Arsyeja e fundit: Të arrestuarit në Kosovë
Arsyeja e fundit e ashpërsimit të marrëdhënieve mes Gjeloshajt dhe Mandiqit ishte arrestimi i disa shtetasve malazezë në Kosovë, dy prej të cilëve ishin pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi.
Ata u arrestuan për shkak të targave me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në veturën me të cilën udhëtuan në Manastirin e Deçanit në Kosovë, më 24 nëntor.
Mandiq e vlerësoi këtë veprim të autoriteteve të Kosovës si jokorrekt dhe bëri thirrje për lirimin e të arrestuarve.
“Imagjinoni që në Mal të Zi, në Ulqin apo në Tuz, ta bëjmë atë që po bën administrata e Prishtinës me ata që përdorin simbolikën e ‘Shqipërisë së madhe’ dhe bëjnë shqiponjën”, tha Mandiq.
Tuzi, jo larg nga Podgorica, dhe Ulqini në jug të Malit të Zi, janë komuna të banuara kryesisht me shqiptarë.
Pas kësaj, Alternativa Shqiptare e Gjeloshajt e akuzoi Mandiqin për nxitje të shovinizmit në Mal të Zi dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë.
Nga kjo parti thanë, gjithashtu, se shqiptarët do të detyrohen të vetorganizohen nëse situata nuk qetësohet.
Në përgjigje të kësaj deklarate, partia e Mandiqit i bëri thirrje Prokurorisë së Lartë të Shtetit që të reagojë, në mënyrë që “Gjeloshaj të shpjegojë se çfarë do të thotë vetorganizim”.
Marash Dukaj, ministër nga partia e Gjeloshajt, u përgjigj duke thënë se shqiptarët në Mal të Zi nuk thonë se “kjo është Shqipëri”.
“Nëse dikush do të përpiqej ta bënte këtë, ne nuk do ta përkrahnim. Pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi shkuan në shtetin e Kosovës, të cilin Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht para një dekade e gjysmë, me mbishkrimin se Kosova është diçka tjetër, e jo ajo që është me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kushtetutën tonë”, tha Dukaj.
Serbët në Mal të Zi paralajmërojnë tubim te monumenti në Tuz
Organizata joqeveritare “Serbët në Mal të Zi” paralajmëroi një tubim në qendër të Tuzit, kushtuar “tre të rinjve nga Mali i Zi të arrestuar në Kosovë”, për datën 19 dhjetor.
Tubimi u paralajmërua për te monumenti i Skënderbeut, i cili në njoftimin në Instagram quhet “serbi Gjuragj Kastriotiq”.
Skënderbeu, përndryshe, ishte udhëheqës ushtarak shqiptar në shekullin e 15-të.
Monumenti i tij u vendos në qendër të Tuzit javën e kaluar.
Organizata “Serbët në Mal të Zi” tha se e ka njoftuar Drejtorinë e Policisë për tubimin e pritur.
Kjo organizatë u regjistrua në mars të këtij viti.
Përfaqësues i saj është Dejan Meshter, udhëheqës i qendrës rajonale të Postës së Malit të Zi dhe zyrtar i koalicionit qeverisës.
Pajoviq: Koalicioni do të mbijetojë pavarësisht retorikës së ashpër
Aktivisti qytetar në Mal të Zi, Dushan Pajoviq, beson se këto konflikte janë të pritshme.
“Të thuash se Mandiq është shqiptarofob, është në njëfarë mënyre minimizim i problemit. Jam i sigurt se atij i pëlqen ai emërtim, sepse të jesh shqiptarofob në botën e tij, është një lloj lavdërimi”, thotë Pajoviq.
Ai shton se urrejtja e Mandiqit ndaj shqiptarëve është pjesë e një ideologjie më të gjerë, që përfshin shovinizmin ndaj të gjithë atyre që nuk janë pjesë e “botës serbe”.
“Ne nuk mund të presim që xhelatët dhe viktimat të bashkëpunojnë pa probleme”, thotë Pajoviq.
Megjithatë, ai beson se “dëshira për pushtet” si motiv kryesor, do të mbizotërojë dhe se ky konflikt nuk do ta kërcënojë koalicionin qeverisës.
“Çështja është nëse marrëdhënia mes partnerëve të koalicionit të Mandiqit dhe votuesve është e njëjtë. Nëse po, kjo do të çonte në mënyrë të pashmangshme në shpërbërjen e shoqërisë civile, braktisje të rrugës evropiane dhe etno-federalizim të mundshëm”, sipas tij.
E, partnerët e koalicionit të Mandiqit nuk reaguan.
Pavarësisht thirrjeve të hapura për të reaguar në lidhje me këtë rast, as presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe as kryeministri Millojko Spajiq nuk e bënë një gjë të tillë.
Kjo, sipas Pajoviqit, tregon se autoritetet malazeze në praktikë nuk kanë probleme me ekstremizmin, klerikalizimin dhe urrejtjen, edhe pse zyrtarisht shprehen pro vlerave qytetare dhe evropiane.
Siç thotë ai, kreu i Qeverisë është i gatshëm të heshtë, ta relativizojë apo mohojë situatën faktike, “për hir të qëndrimit në pushtet dhe marrëveshjeve me forcat e nacionalizmit serbomadh, krah i të cilave është Mandiqi”.
Që kur zgjat konflikti?
Konflikti i hapur mes dy zyrtarëve të lartë nisi në mes të tetorit, pas vizitës së Gjeloshajt në Uashington.
Gjatë një takimi me zyrtarin e lartë amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, Gjeloshaj paralajmëroi për, siç tha, “veprimtari potencialisht destabilizuese të strukturave klero-nacionaliste, me qëllim të prishjes së perspektivës evropiane të Malit të Zi”.
Më pas, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai e sqaroi këtë deklaratë. Tha se iniciativat e Frontit Demokratik për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë malazeze dhe miratimin e një projekt-ligji për agjentët e huaj, të modeluar sipas ligjit rus, synojnë ta ngadalësojnë rrugën evropiane të Malit të Zi.
Një ditë më vonë, Fronti Demokratik i tha Gjeloshajt se ai mund të përjashtohej nga Qeveria.
“Ne, me dashamirësi, e këshillojmë Gjeloshajn që ta pranojë realitetin në Mal të Zi dhe të mos përpiqet të na i mohojë të drejtat tona... sepse nëse kafshon shumë, mund t’i thyejë dhëmbët”, tha Fronti Demokratik.
Fronti Demokratik i ka 13 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi me gjithsej 81 ulëse, ndërsa partia e Gjeloshajt, pjesë e koalicionit të Forumit Shqiptar, i ka dy.
Asnjë vendim për ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë
Aktualisht, e ndërlikuar është edhe situata sa i përket emërimit të ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë.
Ndonëse seanca e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku duhej të diskutohej për të, u anulua për shkak të përbërjes jo të plotë të komisionit, opozita tha se bëhet fjalë për sabotim.
Deputetja e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në opozitë, Aleksandra Vukoviq Kuç, tha se pushteti ka frikë se me votën për ambasadorin në Kosovë, do t'i hidhërohet “bota serbe”.
Edhe Nikolla Zirojeviq, deputet i Socialdemokratëve opozitarë, beson se arsyeja e shtyrjes së seancës është e natyrës politike.
Partitë proserbe në pushtet në Mal të Zi dhe Kisha Ortodokse Serbe nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe e konsiderojnë atë si territor të Serbisë.
Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së DPS-së, e cila ra nga pushteti në vitin 2020.
Mandiq i ashpërsoi marrëdhëniet në disa fronte
Veprimet dhe deklaratat e Mandiqit dhe partisë së tij u bënë shkak për ashpërsimin e marrëdhënieve me disa fqinj të Malit të Zi.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës i dërgoi dy nota proteste - të parën pasi Mandiq e priti presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, pa i vënë në pah veçoritë shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës, dhe të dytën për shkak të një fjalimi në Beograd, gjatë të cilit Mandiq e cilësoi Republikën Sërpska si shtet.
Dy nota proteste i dërgoi Malit të Zi edhe Kroacia - të parën për shkak të disa tabelave gjatë fushatës për regjistrimin e popullsisë, në të cilat disa personalitete nga kultura kroate u paraqitën si serbe, dhe të dytën për shkak të Rezolutës për gjenocidin në Jasenovac, të propozuar nga Fronti Demokratik dhe të mbështetur nga shumica qeverisëse.
Rezoluta e miratuar në korrik të këtij viti, shkaktoi tensione shtesë, ndaj Zagrebi e shpalli të padëshirueshëm Mandiqin dhe dy politikanë të tjerë proserbë nga Mali i Zi.