Ndërlidhjet

Dita e aktakuzave të Gjykatës Speciale


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndërprerë vizitën e planifikuar më 27 qershor në Uashington, dhe nesër (të enjten) pritet të kthehet në Kosovë, pasi të mërkurën Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Shefi i kabinetit të presidentit Thaçi dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku, tha se historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet nga “lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”.

“Liria jonë është vulosur nga gjaku i luftëtarëve të lirisë, mijëra civilë të pafajshëm, të vrarë brutalisht, dhe dhimbja e mijëra grave të dhunuara. Kjo është historia jonë e dhimbshme, por krenare. Nuk mund të ndryshohet nga askush. Madje as nga lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”, tha Çollaku në një postim në Twitter, në reagimin e parë nga Presidenca e Kosovës.

Grenell: Thaçi anulon vizitën në Uashington

Edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington.

“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Veseli për aktakuzën: Dyshimet e ngritura janë të pavërteta

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Duke komentuar aktakuzën, që akuzon vetë Veselin dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krime lufte në Kosovë, kreu i PDK-së ka thënë ky është një veprim i pashembullt i prokurorit, pasi sipas tij, ka lëshuar deklaratën para se gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura.

“Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta”, ka thënë Veseli.

Deklarata e Veselit pas ngritjes së aktakuzës kundër tij
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:56 0:00

Një tjetër shqetësim sipas Veselit, është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike.

“Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi. Asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike. Me këtë qasje, Prokurori ka paralajmëruar rrugën që ai pretendon ta ndjekë për ta ushtruar të gjithë pushtetin e tij”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë para gazetarëve se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë prokuror.

“Ne kemi qenë të detyruar që ta mbrojmë veten dhe vendin tonë. Dhe do ta bëjmë sërish. Nëse na imponohet, edhe një herë do të demonstrojmë me fakte se UÇK ka zhvilluar një luftë të ndershme për liri, kundër një prej ushtrive më të fuqishme dhe më agresore në botë, të udhëhequr nga një bandë kriminale serbësh. Jam krenar që kam qenë pjesë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe e mohoj plotësisht çdo përfshirje në ndonjë akt kriminal”, ka thënë Veseli.

Hoti: Qeveria beson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, pas publikimit të aktakuzave të Zyrës së Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Osmani: Kosovës i duhet drejtësi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar pas publikimit të aktakuzës së Prokurorit të Specializuar, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosovës i duhet drejtësi.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sipas saj, “Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë”.

“Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë”, ka deklaruar Osmani.

Reagimet e qytetarëve

Qytetarët e quajnë të padrejtë aktakuzën e Gjykatës Speciale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Reagimi i BE-së​

Bashkimi Evropian ka thënë se është "mbështetës i fortë i punës" së Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse ato janë "dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit", i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE.

Përmes një reagimi zyrtar, BE-ja ka thënë se nuk komenton procedurat e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara, sa u përket punës së tyre, dhe se këto çështje duhet të adresohen te këta mekanizma.

“Është shumë e rëndësishme që Zyra e Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara të vazhdojnë të bëjnë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje”, është thënë mes tjerash në reagim.

Kurti: Besoj në pafajësinë e UÇK-së

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se beson në pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që lufta e saj ka qenë e drejtë.

Në një prononcim për media, Kurti është shprehur se situata e krijuar sot “është pasojë e re e gabimeve të moçme”.

“E di që lufta çlirimtare e UÇK-se është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët e UÇK-së edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe tonë”.

Kurti ka thënë se Kosova është dashur që moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur dhe të paanshme që të hetojë, gjykojë dhe dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes, mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë.

Haradinaj: Besojmë në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, e cila ka rezultuar më vonë me pavarësinë e Kosovës dhe se beson në pafajësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarëve tjerë.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Mustafa: Lufta e UÇK-së do të konfirmohet si e drejtë dhe pastër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se beson thellë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Rama dhe Meta reagojnë pas ngritjes së aktakuzës nga Specialja

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se beson në pafajësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Meta ka shkruar se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të (v.j. liderit serb, Sllobodan) Millosheviqit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.

“Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndërkohë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se është në krah të atyre që luftuan “për të çprangosur Kosovën e burgosur nga ferri i Sllobodan Millosheviqit”

“Që kur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”, ka thënë mes tjerash ai.

Carpenter: Pas aktakuzave ndaj Thaçit, dialogu në Uashington do të duhej anuluar

Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të ndikojë në dialogun e planifikuar të mbahet më 27 qershor në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej, megjithatë ai thënë se nuk mund të parashikohet se çfarë do të vendosë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për këtë gjë.

Michael Carpenter.
Michael Carpenter.

“Unë pres që samiti të anulohet, por me administratën Trump asgjë nuk është e parashikueshme. Unë nuk mund të them me siguri se si do të reagojnë, por në këto rrethana, kështu do të duhej të reagonin”, ka thënë Carpenter.

Sipas tij, akuzat ndaj Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë shumë serioze dhe se ndikimi i tyre në dialog do të ndodhë për faktin se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për vite me radhë.

Carpenter pret që në këto rrethana, dialogu të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Weber: Aktakuza, frikë e prokurorit se Thaçi synon të negociojë amnisti

Bodo Weber, analist nga Berlini, njëherësh njohës i zhvillimeve në Ballkan, tha se publikimi i aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë një gjë “e pritshme dhe e papritshme”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se të gjitha përpjekjet e Thaçit për marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, tash e tre vjet, “kanë qenë treguesi më i mirë se ai do të akuzohej”.

Weber tha se vendimi i Prokurorisë Speciale për të publikuar aktakuzën ka lidhje me takimin e planifikuar në Uashington, midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, më 27 qershor.

“Kjo duket se i konfirmon edhe informacionet në prapavijë se që nga fillimi i negociatave është intervistuar disa herë nga përfaqësuesit e Prokurorisë, për të cilat, ndryshe nga politikanët e tjerë në Kosovë, nuk e ka informuar publikun. Sidoqoftë, lëshimi i pazakontë i informacionit mbi aktakuzën para konfirmimit nga Gjykata sugjeron se kjo është e lidhur me raundin e bisedimeve të së shtunës në Shtëpinë e Bardhë dhe frikën e prokurorit që presidenti Thaçi synon të negociojë një lloj amnistie", tha Weber.

Ai është i mendimit se duhet pritur dhe parë se çfarë ndërlikimesh do të ketë kjo për vazhdimin e dialogut, për takimin në Uashington dhe për samitin e planifikuar në Paris.

"Aktorët perëndimorë kanë qenë të vetëdijshëm me vite se momenti kur publikohen aktakuzat mund të jetë një pengesë e rëndësishme për dialog. Gjykuar nga reagimi i fundit ndaj një deklarate të këshilltarit të ish-kryeministrit [Albin] Kurti për krimet e luftës, të kryera nga shqiptarët e Kosovës, nuk do ta përjashtoja mundësinë që pala kosovare t’i braktisë të dyja takimet", tha Weber, duke shtuar se, megjithatë, presidenti Thaçi duket se është tashmë në rrugë për në Uashington.

Serwer: Kosova është në telashe

Nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk japin dorëheqje, Kosova do të përballet me sfida të tjera, thotë Daniel Serwer, ekspert i Ballkanit në SHBA, teksa ka komentuar në platformën e tij, aktakuzën për krime lufte të Gjykatës Speciale kundër presidentit Thaçi, Veselit dhe të tjerëve.​

Beogradi sipas Serwerit do të jetë i kënaqur me këtë aktakuzë, për shkak se ka kërkuar drejtësi për krime kundër serbëve, pas përfundimit të luftës dhe kjo do t’i japë Serbisë përparësi në negociata me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Beogradi mund të përpiqet të rihapë çështjen e kompromisit territorial me Kosovën, duke pretenduar se aktakuza vërteton se serbët nuk duhet të jetojnë në një vend ku mbizotërohet nga armiqtë kriminelë. Pra, aktakuza nuk është vetëm çështje personale për Thaçin e Veselin, por është institucionale dhe ndërkombëtare. Kosova është në telashe”, thotë Serwer.

Sipas tij, "as Evropa e as Amerika nuk do të kenë interesim që të takohen apo të ndihmojnë politikanë të cilët janë nën akuza dhe rezultati sipas tij, do të jetë izolimi ndërkombëtar".

“Kjo gjithashtu është një provë për Thaçin dhe Veselin. Nëse konfirmohet nga gjyqtari i Gjykatës Speciale, ata të dy duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre dhe të shkojnë në Hagë për t’u mbrojtur, ashtu siç ka bërë ish-kryeministri Haradinaj disa herë. Dorëheqjet e tyre do të bënin ndryshime në politikën e Kosovës. Kuvendi duhet të zëvendësojë Thaçin, gjë e cila do të ishte një sfidë e madhe, pas kësaj aktakuze. Zëvendësimi i një kryetari të një partie politike do të ishte shumë më pak i diskutueshëm, por gjithsesi do të qonte peshë”, thotë Serwer.

Por ai vë në dyshim nëse “do ta respektojë PDK-ja (Partia Demokratike e Kosovës) trashëgiminë e saj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo do të shkojë përtej saj për të zgjedhur dikë i cili është më pak i lidhur me rebelimin e armatosur kundër Serbisë.”

“Reagimi politik brenda Kosovës do të jetë në kundërshtim. Është vështirë të paramendohet ndonjë gjë pozitive e këtij lloj konfrontimi. Perspektiva për investime ndërkombëtare, bashkëpunimi më NATO-n, udhëtimi pa viza në BE dhe aspiratat e tjera do të dëmtohen”, thotë Serwer.

Serwer mes tjerash thotë se është befasuar me këtë aktakuzë, pasi nuk kishte besuar që ekzistojnë prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza.

Çfarë mund të ndodhë pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar?

Pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, avokati Granit Vokshi ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se cilat janë proceduarat që mund ta përcjellin këtë proces në të ardhmen.​

Ai thotë se aktakuza duhet të shqyrtohet nga gjyqtari i procedurës paraprake brenda një periudhe gjashtëmujore duke nisur nga momenti i ngritjes së aktakuzës [24 prill].

"Gjykatësi brenda periudhës gjashtëmujore, e cila periudhë edhe mund të zgjatet, do ta shqyrtojë dhe do ta vlerësojë se ajo aktakuzë është e bazuar. [Gjyqtari] ka mundësi ta hedhë aktakuzën apo edhe ta konfirmojë atë", ka treguar Vokshi.

Sipas Vokshit, në rast se aktakuza konfirmohet, atëherë pasojnë proceduarat e tjera duke nisur nga formimi i trupit gjykues.

"Me rastin e konfirmimit të aktakuzës do të themelohet trupi gjykues dhe pastaj do të futet në një shqyrtim gjyqësor. Për momentin, të përmendurit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk konsiderohen të akuzuar meqenëse ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ligji nuk e parasheh që ata të quhen si të akuzuar, ata ende janë vetëm të dyshuar dhe të akuzuar bëhen në momentin kur të konfirmohet aktakuza nga gjyqtari i proceduare paraprake", ka thënë mes tjerash ai.

Reagimet tjera pas ngritjes së aktakuzave

Autoritetet e Kosovës nuk kanë reaguar ende pas lajmit për ngritje të aktakuzave.

Mirëpo, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimin për aktakuza, e ka konsideruar krejtësisht politik.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo aktakuzë është ngritur në një kohë të ndjeshme kur pritet të nisin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Deri më sot asnjë aktakuzë nuk është vërtetuar mbi pjesëtarët e UÇK-së, kështu që nuk do të ketë fakte dhe argumente që do të mund të dokumentojnë se ka pasur krime në Kosovë nga pjesëtarët e UÇK-së apo nga vetë presidenti, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Gucati ka thënë se ngritja e aktakuzës në këtë kohë është bërë për të kënaqur disa persona shqipfolës, Serbinë dhe siç është shprehur ai, për gjunjëzimin e Thaçit dhe Veselit.

Lajmi për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale vjen pak kohë para nisjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët serbë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin për Politikën e Demokratizimit, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë lidhje në mes të deklaratës së Prokurorisë në Hagë, dhe takimit të​ planifikuar në Uashington, më 27 qershor.

"Ka qenë e ditur që Prokuroria po punonte në aktakuzë, kështu që thelbi i saj nuk është befasi. Sidoqoftë, koha dhe formulimi i ashpër i njoftimit për shtyp, tregojnë se Prokuroria ka frikë nga një lloj marrëveshjeje e presidentit Thaçi, i cili mund të dëmtojë punën e Gjykatës. Ka mundësi që ky njoftim publik, të jetë i provokuar nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, të shtunën", ka thënë Vogël për REL-in.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG