Ndërlidhjet

Dy dështime radhazi për akreditim çojnë në mbylljen e universiteteve


Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina". Fotografi nga arkivi.
Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina". Fotografi nga arkivi.

Për të shmangur mbylljen, tri universitetet publike në Kosovë të cilat nuk kanë marrë akreditimin për vitin 2019/2020, brenda një viti duhet t’i plotësojnë standardet evropiane të cilat kërkohen, bëjnë të ditur përfaqësues të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë për Akreditim të Kosovës.

Universitetet publike të cilat nuk janë akredituar janë Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Universiteti “Isa Buletini” në Mitrovicë dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren. Këto universitete, nuk kanë të drejtë të pranojnë studentë të rinj në këtë vit akademik, ndërsa studentët ekzistues, vazhdojnë studimet normalisht.

Gazmend Luboteni, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se në qoftë se dy herë radhazi institucioni i njëjtë dështon apo merr akreditim negativ, atëherë në atë rast ai institucion mund të mbyllet.

“Pra, në rastin e këtyre tri universiteteve publike, të cilat kanë marr vlerësim negativ nga ekspertët ndërkombëtarë, çështja ka qenë që faktikisht janë dhënë shumë vërejtje dhe për shkak të mosplotësimit të këtyre kritereve apo standardeve, është vlerësuar që pas një viti institucioni duhet përsëri t’i nënshtrohet procesit të akreditimit përsëri nga ekspertët ndërkombëtarë dhe në qoftë se janë tejkaluar ato dobësitë të cilat janë identifikuar në vlerësimin e mëparshëm, akreditimi do të vazhdohet përsëri. Në qoftë se jo, pra nëse në bazë të dispozitave ligjore, dy herë radhazi institucioni i njëjtë dështon, merr akreditim negativ, atëherë vetëm në atë rast mund të mbyllet”, sqaron Luboteni.

Por, universitetet të cilat nuk kanë marrë akreditim për vitin akademik 2019/2020 e kanë konsideruar vendimin e papranueshëm dhe se kanë thënë se do të veprojë në përputhje me dispozitat e akteve ligjore dhe nënligjore.

Agjencia për Akreditim është institucion i pavarur. Por, vlerësimi nga ky trup është kundërshtuar ashpër edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka akuzuar anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë se kanë punuar në shërbim të universiteteve private, duke ua pamundësuar punën universiteteve publike. Pavarësisht se ky Këshill është një organ i pavarur, Haradinaj tha se ai nuk mund të qëndrojë anash në këtë rast.

Ky qëndrim dhe kjo qasje e Haradinajt zgjoi më pas reagime të shumta të shoqërisë civile, duke rikujtuar se politika nuk mund të përfshihet në këtë çështje.

Dhjetëra organizata të shoqërisë civile dhe atyre studentore gjatë një protestë simbolike të enjten në Prishtinë, kanë dalë në mbështetje të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe autoriteteve tjera zyrtare të tërhiqen, siç thonë ata, nga presioni publik që po i bëjnë Agjencisë për Akreditim të Kosovës.

Video: Protestë kundër ndërhyrjeve politike në arsim

Protestë kundër ndërhyrjeve politike në arsim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Gazmend Luboteni, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tregon se universitetet publike të cilat nuk janë akredituar kanë marrë vërejtje të shumta në punën e tyre dhe rrjedhimisht nuk kanë përmbushur një numër të konsiderueshëm të standardeve të cilat kërkohen.

“Është fjala për mospërmbushjen e 11 standardeve që kërkohen. Shumica kanë të bëjnë me institucionin. Ta zëmë vlerësimi i zyrës së cilësisë, pastaj misioni sa është i qartë i universitetit, vizioni, strategjia, stafi dhe elementet e tjera. Do të thotë, të gjitha këto vlerësohen se a i përmbushin standardet, substancialisht, pjesshëm, apo nuk i përmbushin. Kështu që, ka pasur më shumë vlerësime negative sesa pozitive dhe mbetet që këto universitete t’i përmbushin ato kërkesa të ekspertëve ndërkombëtarë, t’i tejkalojnë ato probleme dhe herën e ardhshme të vlerësimeve, sigurisht se do të jetë vlerësimi pozitiv”, thotë Luboteni.

Sipas dispozitave ligjore në Kosovë, akreditimi i universiteteve publike në Kosovë në periudha të caktuara kohore duhet vazhdimisht të përsëritet, qoftë për institucionin dhe programet e tyre.

Sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe udhëzimit administrativ në Kosovë, institucionet apo programet akreditohen për tre apo pesë vjet maksimum.

Luboteni tregon se pas tre vjetësh kur përfundon akreditimi, përsëri institucioni duhet të aplikojë për ri-akreditim.

“Ne nuk kemi arritur në atë fazë, që ta zëmë, për një kohë më të gjatë të bëjmë akreditimin për shkak se shumica e universiteteve kanë probleme ose këto standardet që janë aprovuar, disa prej tyre janë të reja dhe nuk kanë qenë më parë të aplikueshme në Kosovë. Kështu që, të gjitha ato kërkojnë që cikli i akreditimit të përsëritet vazhdimisht. Për shkak të rritjes së nivelit të standardeve të cilat aplikohen që nga ky vit, asnjë institucion në Kosovë nuk ka marrë akreditim më tepër se tri vjet. Kjo tregon që standardet tash i kemi më të larta dhe kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja që disa institucione kanë dështuar në këtë aspekt”, thotë Luboteni.

Ai shton se akreditimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sipas tij, Kosova është e detyruar, t’i aplikojë standardet evropiane për shkak se është pjesë e organizmave, siç është Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

“Kjo tregon se ne jemi të detyruar që standardet që janë nga ENQA t’i aplikojmë në Kosovë sepse Kosova është anëtare. Në qoftë se ne nuk i aplikojmë ato, atëherë nuk mund të jemi pjesë e këtyre mekanizmave ndërkombëtarë. Pra, akreditimi nënkupton që një institucion ka nivel të caktuar dhe ashtu siç kërkohet të cilësisë dhe ofron programe cilësore të arsimit të lartë dhe institucioni si institucion është në harmoni me standardet evropiane”, thotë Luboteni.

Sipas tij, një institucion arsimor që nuk ka akreditim, nënkupton që ai institucion nuk i plotëson këto standarde e kritere, prandaj nuk ishte dashur që të funksionojë.

Të enjten, Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi kishte paraparë një diskutim lidhur me vendimin e mosakreditimit të tri universiteteve, por që në mungesë të anëtarëve të komisionit, takimi nuk është zhvilluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG