Ndërlidhjet

Kurti anashkalon Prokurorinë për gurthemelin e një kopshti për fëmijë


Prokuroria e priste në Prishtinë, Kurti me helmetë e lopatë në Gjilan
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:26 0:00

Nga Gjilani, Kurti tha se nuk po i ikë drejtësisë dhe insistoi në kërkesën e tij - që prokurorët ta intervistojnë në Kryeministri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërti të martën se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore dhe i ftoi sërish hetuesit e Prokurorisë Speciale që të shkojnë në zyrën e tij.

Kurti i bëri komentet në Gjilan, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti për fëmijë.

Në kohën që ishte atje, përkatësisht në 10:00 të paradites, ai ishte i ftuar të paraqitej në Prokurorinë Speciale të Kosovës, me urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Megjithatë, Kurti nuk u paraqit atje, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

"Unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi apo se refuzoj të jap dëshmi. Përkundrazi, kam thënë se jam jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Unë e mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit", tha Kurti në Gjilan.

"Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët, hetuesit kanë ardhur për kryeministra, madje jo vetëm si dëshmitarë, por [edhe] si të pandehur", shtoi ai, pa specifikuar më shumë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë thënë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të kryeministrit, “duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

“Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit”, është thënë mes tjerash përmes një postimi në Facebook.

Në reagim është vlerësuar se deklaratat e Kurtit janë duke dëmtuar funksionimin e institucioneve demokratike, dhe që mbështesin Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj.

Si ka ardhur puna deri këtu?

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ditë më parë se ka lëshuar urdhër që e obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Urdhri ka ardhur pasi kryeministri nuk u është përgjigjur dy ftesave që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.

Vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por ka insistuar që dëshminë ta japë në zyrën e tij në Kryeministri.

Zyra e tij ka thënë, po ashtu, se i ka dërguar kërkesë Gjykatës Themelore për ta urdhëruar Prokurorinë që ta marrë dëshminë e Kurtit në Kryeministri.

Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën - pa përmendur ndonjë emër - ndërsa refuzimin e tij për të shkuar në Prokurori e arsyeton duke thënë se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror”, që kinse kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni.

Në linjë të njëjtë me të është edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Për të, kërkesa e Prokurorisë ndaj Kurtit është politike.

“Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Por, më duhet të them, kurrë më politik nuk ka qenë. Duke qenë se nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në Kuvend, opozita, ose dikush nga analistët në studiot televizive, kanë zgjedhur me Prokurorinë Speciale, por nuk mund të na ndalin”, ka deklaruar Haxhiu më 26 shkurt, pa përmendur dikë me emër dhe pa ofruar ndonjë dëshmi për pretendimet e bëra.

Çfarë parasheh ligji?

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se procedurat për një situatë të tillë janë të rregulluara me Kodin e Procedurës Penale.

“Secilën herë që ekziston një ftesë, qoftë në Gjykatë, qoftë në Prokurori, të gjithë personat obligohen - pavarësisht se çfarë pozite mbajnë - që t’i përgjigjen pozitivisht”, ka thënë ai.

Sipas Bugaqkut, mospranimi për të dëshmuar, pa ndonjë arsye që do të ishte e vlefshme për prokurorin e rastit, apo për gjyqtarin, i detyron institucionet të tentojnë ta bindin personin për të dëshmuar, qoftë përmes shqiptimit të gjobës preliminare - në këtë rast prej 250 eurosh - apo më vonë përmes dërgimit në mbajtje për 30 ditë.

Rezervat shtetërore: Çka ndodh nëse Kurti e refuzon edhe thirrjen e Gjykatës? Rezervat shtetërore: Çka ndodh nëse Kurti e refuzon edhe thirrjen e Gjykatës?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:52 0:00

I pyetur nëse gjoba mund t’i shqiptohet Kurtit menjëherë, në rast të mosparaqitjes në Prokurori më 4 mars, Bugaqku ka thënë se gjithçka varet nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Ndoshta do t’i jepet edhe një rast, t’i dërgohet edhe një ftesë, para se t’i shqiptohet një gjobë, për mospërgjigje ndaj organeve të drejtësisë dhe mosbashkëpunimit me organet e drejtësisë në dhënien e dëshmisë së tij”, ka thënë ai.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Gjykatën Themelore në Prishtinë se si do të procedojë tutje dhe është ende në pritje të përgjigjes.

Sipas Bugaqku, qasja e tillë e kryeministrit mund të shihet nga organet e drejtësisë si pengim i hetimeve drejt zbardhjes së të vërtetës në rastin me rezervat shtetërore.

A ka ndodhur diçka e tillë më parë në Kosovë?

Po. Më 2011, Blerim Kuçi, atëherë kryetar i Komunës së Suharekës, ka qëndruar në paraburgim për 30 ditë, pasi ka refuzuar të jepte dëshmi për dyshimet lidhur me krimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Para masës së ndalimit, ai është gjobitur me 250 euro.

Sjellja e Kurtit sfidon parimin e barazisë para ligjit

Bugaqku, por edhe shumë njohës tjerë të drejtësisë besojnë se sjellja e Kurtit krijon përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë.

“Kjo krijon një njollë të keqe në ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe duhet ditur se barazia e ligjit vlen për të gjithë, si për ata që mbajnë pozita të larta, si për çdo qytetar tjetër të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bugaqku.

Rasti i rezervave shtetërore

Më 2023, tre persona janë arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre kanë qenë edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, janë kryer bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku është pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kanë arritur kurrë.

Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG