Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka theksuar se të gjitha idetë për insititucionet paralele në Kosovë do të shqyrtohen me zyrtarët në Beograd. Por, nuk ka kundërshtuar idenë që serbët e Kosovës të kenë kuvendin e tyre. Ndërkohë që nuk është kundërshtuar edhe ideja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, që do të mbahen në maj. Ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë ditë më parë se Kosova do të ketë dy administrata. Ndërkaq, për t'u treguar serbëve që nuk janë vetëm në Kosovë, do të shkojnë zëvendëskryeministri Bozhidar Gjelliq dhe ministri Samarxhiq.
"Mendoj se kjo është një ide interesante dhe potenciale që serbët të kenë kuvendin e tyre. Mirëpo, çdo vendim i qytetarëve tanë duhet të jetë në pajtueshmëri me interesat e shtetit, por edhe interesat e qytetarëve që jetojnë atje. Pra, siguria e serbëve atje është me rëndësi", ka theksuar presidenti Tadiq.
Ai, pas betimit në mandatin e dytë në postin e presidentit, ka thënë se Serbia do të vazhdojë integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, sipas Tadiqit, pavarësia e Kosovës nuk do të thotë asgjë.
"Së pari, shtrohet pyetja ç'është pavarësia? A është një shtet kur njihet nga shtetet tjera apo kur bëhet pjesë e insitucioneve ndërkombëtare? Kështu që nuk e shoh perspektivën e Kosovës në asnjë nga organizatat e botës bashkëkohore. Serbia nuk do të ndalojë të luftojë kundër pavarësisë. Porosis bashkëkombasit tanë që të jenë të qetë dhe Serbisë i duhet qetësia. Megjithatë, nëse institucionet e përkohshme shpallin pavarësinë të dielen dhe ajo njihjet nga disa vende, ne do të futemi në një konflikt të ngrirë", ka theksuar Tadiq.
Analisti politiko-ushtarak, Lubodrag Stojadinoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka plane konkrete për ndarjen e Kosovës, por krijimi i institucioneve paralele do të jetë një betejë e madhe e Serbisë në të ardhmen.
"Pjesa e Kosovës ku ndodhet Mitrovica dhe serbët në Mitrovvicë, nuk mund të veprojë me kronizë të institucioneve që do të shpallin pavarësinë. Mendoj se Tadiqi ka menduar në këto institucione, që serbët duhet t'i kenë në enklavë, në këtë pjesë dhe këto janë të lidhura me idenë e mbetjes së serbëve në Kosovë, sepse edhe kryeministri Koshtunica i ka ftuar serbët të rrinë. Dhe, ky do të jetë një lloj kushti i këtyre ditëve", mendon Stojadinoviq.
Sipas tij, problemi i institucioneve paralele në Kosovë është i lidhur me pushtetin në Serbi.
"Këtu është fjala për një betejë të Beogradit që t'i lidhë në mënyrën më të mirë serbët e Kosovës me shtetin amë. Kjo të paktën do t’ua garantojë serbëve një autonomi kulturore nëse ndërrohet situata e tyre politike, ditëve të ardhshme. Por, nuk besoj se dikush do ta pranonte ndarjen e Kosovës në mënyrë faktike, por ekziston mundësia që ajo të pranohet në një mënyrë të heshtur dhe në këtë mënyrë të realizohet", ka shtuar Stojadinoviq.