Ndërlidhjet

A KA BARNA ME AFAT TË SKADUAR NË BARNATORET E KOSOVËS?


Nadie Ahmeti

Në institucionet shëndetësore ekzistojnë barna të mjaftueshme me afat të skaduar dhe me prejardhje të dyshimtë, të cilat rrezikojnë shëndetin e qytetarëve - shprehin dyshimin e tyre disa qytetarë kosovarë. Këto medikamente, sipas tyre, mund të blihen nëpër barnatore private, por edhe në ato shoqërore. Në anën tjetër, shitësit në barnatore dhe përfaqësues të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale thonë të kundërtën. Një qytetarë nga Prishtina, Bujar Gjocaj, tregon një rast se si ka hasur në medikamente me prejardhje të dyshimtë. “Pikërisht kam një rast që hyn ilegalisht këtu; do të thotë, barna të sëmundjeve të rënda, që nuk kanë banderola dhe nuk e dinë prejardhjen se prej nga vijnë. Një anëtar i familjes sime ka pritur dy javë që të marrë një medikament prej një vendi tjetër, por nuk e dinë prejardhjen”, thotë zoti Gjocaj. Aziz Gashi thotë se ka dëgjuar se në barnatoret në Kosovë shiten barna me afat të skaduar. “Kam dëgjuar që shiten barna të ndryshme me afat të skaduar, por nuk kam hasur në to”, thotë ai. Liridona Jupolli, farmaciste në barnatoren ‘Adofarma’, në qendër të Prishtinës, ndërkaq thekson se në barnatoren e saj, një gjë e tillë nuk ndodh, për shkak se, siç thotë ajo, kontrollimi i medikamente bëhet për çdo muaj. “E bëjmë kontrollimin një herë në muaj, prej A deri në Zh, si për barnat, ashtu edhe për ampulat. Nuk ka shans të kemi barna me afat të skaduar”, thotë zonja Jupolli. Edhe Gjon Gega, nga Shoqata Farmaceutike e Kosovës, thotë se në krahasim me vitet e kaluara, gjendja në barnatoret e Kosovës është përmirësuar dukshëm. Ai thotë se ka shumë barna me afat të skaduar, por te pacienti ato mund të shkojnë vetëm nga pakujdesia e farmacistëve. “Barna me afat të skaduar ka në Kosovë, por nuk besoj që ato shiten në barnatore. Ka mundësi që një ilaç me afat të skaduar të jetë në barnatore, sepse një sasi e barnave nuk shitet, por farmacisti para se ta japë atë ilaç, e kontrollon. Barna me afat të skaduar ka, por ato normalisht që largohen nga qarkullimi dhe evitohen që të mos shkojnë te pacienti”, tha zoti Gega. Zejadin Gashi, udhëheqës i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, tregon se kjo agjenci, dje, ka filluar një kontrollim të barnatoreve në Kosovë. Ai thotë se qëllimi i inspektimit është që në barnatore të punojë farmacist përgjegjës, si dhe kontrollimi i barnave me afat të skaduar dhe i barnave që në mënyrë ilegale hyjnë Kosovë. “Për momentin nuk kemi hasur në veprime të tilla edhe kjo do të vazhdojë çdo ditë, deri sa të sillet një raport real nga terreni. Kështu që për momentin nuk kam asnjë informatë, se një gjë e tillë ekziston në treg”, theksoi zoti Zejadin Gashi. Ndryshe, nëse në treg vërehet se shiten barna me afat të skaduar dhe me prejardhje të dyshimtë, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, sipas Ligjit për Produkte Medicinale që është miratuar në vitin 2003 nga Kuvendi i Kosovës, ka të drejtë të ndërmarrë masa ndëshkuese, të cilat do të caktohen nga gjykatat kompetente të Kosovës.
XS
SM
MD
LG