Ndërlidhjet

A po marrin jetë super-bakteret në QKU?


Qendra Klinike Universitare - arkiv
Qendra Klinike Universitare - arkiv
Super-bakteret në Qendrën Klinike Universitare janë të pranishme. Ato quhen super-baktere për faktin se janë rezistente ndaj antibiotikëve.

Prof. dr. Riza Binishi ka ndërruar jetë në shkurt të këtij viti, në një klinikë gjermane, derisa gjendja shëndetësore e tij ishte komplikuar pikërisht nga infektimi me super-bakterin Nju Delhi, në Qendrën Klinike Universitare.

Vajza e dr. Binishit, Jehona, gjithashtu mjeke, ka marrë edhe dokumentin zyrtar nga klinika ku profesori trajtohej. Zonja Binishi tha se tashmë është vërtetuar se profesori i ndjerë ka qenë i infektuar me super-baktere.

“Prej klinikës ‘Deutcher Centrum Berlin’, ku ka qenë në mjekim dhe ka ndërruar jetë babi ynë, ne kemi marrë një dokument zyrtar ku janë cekur të gjitha llojet e baktereve që janë izoluar në plagë dhe pjesë të ndryshme të trupit të tij. Disa prej baktereve të izoluara, tri prej tyre janë konsideruar se hyjnë në grupin e super-baktereve”, rrëfeu Binishi.

Pas deklaratës dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo tha se do të kontaktojë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, për t’i informuar përfaqësuesit e saj se super-bakteret janë të pranishme në institucionet spitalore.

“Ne jemi në kontakt edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të jenë në dijeni për shkallën e baktereve në QKUK”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se qysh në ditët e para të mandatit të tij si ministër, ka kërkuar nga Qendra evropiane për parandalimin e infeksioneve brendaspitalore, që të vijë në Kosovë dhe të konstatojë gjendjen reale.

Në këtë mënyrë, Agani tha se synon zhvillimin e një plani konkret për ndërmarrjen e masave në raport me situatën e krijuar, e cila, siç tha ministri, është e mbushur me plot të panjohura.
Kosova ende nuk disponon pajisje të duhura laboratorike dhe ekspertizën profesionale për t’i identifikuar super-bakteret.

“Çështja e infeksioneve brendaspitalore është një çështje shumë serioze te ne, për arsye se Kosova ende nuk disponon pajisje të duhura laboratorike dhe ekspertizën profesionale për t’i identifikuar ato që quhen super-baktere. Rasti i fundit është i profesorit Riza Binishi, i cili dyshohet se ka qenë i infektuar me njërën nga këto baktere".

"Unë këto ditë jam njoftuar se rezultatet kanë arritur dhe do të njoftohem nga familja lidhur me këtë çështje. Vetë ky rast dhe situata e përgjithshme më bën të jem shumë i vendosur që ta ndryshoj këtë situatë”,
u zotua ministri Agani.

Lul Raka, mikrobiolog nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se super-bakteret janë të pranishme kudo dhe është e vështirë të luftohen. Mungesa e laboratorit për t’i bërë testet gjenetike e vështirëson edhe më shumë punën në institucionet spitalore.

“’Nju Delhi’ është një enzimë që e prodhojnë disa prej baktereve, të cilat duhet të vërtetohen me teste gjenetike. Kosova nuk i ka kapacitetet për të vërtetuar praninë e gjeneve të rezistencës të endiemit në spitalet tona. Por, shkalla e lartë që mbretëron është shenjë që duhet të konfirmohen”, tha Raka.

Në Kosovë, shtoi ai, përqindja e infeksioneve nga bakteret është më e madhe krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës.
Përqindja e infeksioneve në Kosovë është dy deri në trefish më e lartë se në vendet e Evropës.

“Përqindja e infeksioneve te ne është dy deri në trefish më e lartë se në vendet e Evropës. Është më e lartë për shkak se nuk kemi kontroll, në mungesë të laboratorit. Këto (bakteret) janë të theksuara më shumë në kujdesin intensiv”, bëri të ditur Raka.

Ilir Tolaj, infektolog, njëherësh sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se në institucionet brendaspitalore kanë një numër të madh të infeksioneve, porse një numër i tyre nuk regjistrohet, për shkak se nuk raportohen nga ana e personelit shëndetësor.

Ai foli edhe për rastin e profesorit të ndjerë Binishi, ndërsa përmendi obduksionin si fakt që do të ndihmonte në identifikimin e saktë të shkaktarit të vdekjes.

“Një rast i përfolur se ka vdekur si pasojë e infeksionit brendaspitalor është procedurë e koklavitur, e që duhet të përfundojë me një raport të obduksionit”, tha Tolaj.

Sidoqoftë, ky nuk është rasti i vetëm i diagnostikuar te pacientët kosovarë me këtë baktere. Një hulumtim i mjekëve në Klinikën Universitare të Gracit në Austri, në lidhje me bakterin që u reziston gati të gjithë antibiotikëve, ka trajtuar një djalë 14 vjeç nga Kosova.

Ky lajm ishte bërë i ditur më 27 gusht të vitit të kaluar nga Ministria e Shëndetësisë së Austrisë. Ministria austriake pati njoftuar se ky person ishte infektuar në spitale jashtë territorit austriak, pa specifikuar vendin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG