Solidarizim me veriun nga serbët në jug të Ibrit
Staroviq: Largimi i Policisë së Kosovës i hapë rrugë largimit të ushtrisë serbe nga kufiri
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, ka deklaruar se tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore do të ishte një hap kyç, i cili do të pasohej me një vlerësim të ri të situatës së sigurisë nga Serbia.
"Pas kësaj, mund të ketë hapin e dytë që përmendi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken," tha Staroviq për Radion Evropa e Lirë më 2 qershor.
Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, autoritetet në Serbi, njoftuan më 26 maj se Ushtria Serbe ishte vendosur në “shkallën më të lartë të gatishmërisë luftarake”, gjatë së cilës ata vendosën njësi dhe pajisje luftarake në kufirin me Kosovën.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË:
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.
- Subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në seancën e Kuvendit të Kosovës, publikoi disa emra për të cilët tha se ishin personat përgjegjës që shkaktuan tensione më 29 maj në Zveçan, e ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.
- Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha Qeveria e Kosovës është duke vazhduar bisedimet me partnerët e saj ndërkombëtarë, të cilët tha se “synojmë t’i bindim për qëndrimet tona të drejta”
- Kuvendi i Kosovës ka disktuar për situatën në veri dhe raportet me aleatët. “Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione”, tha mes tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e Qeverisë së kryeministrit Kurti, duke i ftuar deputetët të nisin mocion mosbesimi ndaj saj. “Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të Qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë, që janë ende garanci e sigurisë sonë”, tha Haradinaj.
- Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, grupe qytetarësh serbë vazhduan protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave, për të pestën ditë me radhë.
Senatori Murphy kërkon zgjedhje të reja dhe tërheqje të policisë
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, ka përmendur disa pika të cilat sipas tij çojnë në uljen e tensioneve në katër komunat veriore të Kosovës.
Murphy thotë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen, Serbia duhet të ndërmarrë hapa të vërtetë për t'iu dhënë fund protestave, të bëhet caktimi i zgjedhjeve të reja, të mundësohet qasja e kufizuar në ndërtesat komunale vetëm për nëpunësit civilë si dhe të respektohen marrëveshjet e mëparshme Serbi-Kosovë – përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.