Ndërlidhjet

Rryma shtrenjtohet për mbi 15 për qind


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Energjia elektrike në Kosovë është shtrenjtuar për 15.4 për qind. Kështu vendosi më 30 mars Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kryesuesi i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, tha se rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Ne konsiderojmë se nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm me energji, kostoja do të jetë shumëfish më e madhe sesa përqindja e propozuar. Ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, tha ai.

Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

Sipas tarifave të reja, zyrtarët e ZRRE-së thanë se për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri në 300 kilovat në orë, nëse proporcioni i konsumit është 60 [tarifa e lartë] me 40 [tarifa e ulët], fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 88 centë.

Për ata që kanë konsum deri në 450 kilovat në orë, fatura mujore do të ketë rritje prej 4 euro e 18 centë.

Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kilovat në orë, rritja e faturës mujore do të jetë 5 euro e 49 centë. Dhe për konsumatorët deri në 800 kilovat, ku 80 për qind e konsumatorëve janë pjesë e kësaj kategorie, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë.

Ndërkaq, për ata që konsumojnë 1.000 kilovat në orë, rritja mujore pritet të jetë 10 euro e 51 centë.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, pas mbledhjes foli për gazetarët, duke treguar se kanë vendosur që rritja e energjisë të jetë për të gjitha kategoritë, dhe jo vetëm për një, sikurse ishte kërkuar që rryma të shtrenjtohej vetëm për konsumatorët komercialë.

"Ky vendim i prek të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Ata tashmë e kanë një mundësi dhe i lusim konsumatorët që të konsumojnë sa më shumë energji gjatë orëve jashtë pikut, kur çmimet e energjisë janë shumë më të favorshme", tha ai.

Më herët, Qeveria e Kosovës ka premtuar se do të vazhdojë subvencionimin e faturave për konsumatorët që kursejnë energjinë, edhe pas rritjes së tarifave nga ZRRE-ja.

Fejzullahu tha se do të diskutohet me Qeverinë “se si do të zbatohet ky subvencion, të cilin ata e kanë premtuar”.

Nga muaji shtator i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kanë kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

Herën e fundit që ZRRE-ja kishte miratuar rritjen e tarifave ishte në shkurt të vitit të kaluar. Nga ai vendim u prekën konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovat në orë. Kjo kategori e konsumatorëve u faturua me 12.5 cent për kilovat në tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Kosova importon rrymë sipas çmimit të energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX.

Në gushtin e vitit 2021, çmimi ishte 150 euro për megavat.

Në muajin gusht të vitit 2022, çmimi arriti në rreth 430 euro për megavat, por më vonë u stabilizua në rreth 260 euro. Më 30 mars të vitit 2023, çmimi për megavat në bursën HUPX ishte 113 euro.

Ndryshe, veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, që nga përfundimi i luftës nuk paguan për rrymën e konsumuar. Nga viti 1999 deri më 2017, borxhi për veriun është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Por, Gjykata e Apelit vendosi më 2017 që ta pezullojë këtë praktikë, që e konsideroi të paligjshme. Prej atij viti, pagesën e borxhit e bën Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG