Prokurorja e Përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova, bëri thirrje për një "model të ri" të përpjekjeve për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës në Ukrainë, duke thënë se duhet të krijohet një Gjykatë Speciale për krizën e "paprecedent".
Ajo tha se 39 vende i janë bashkuar ankesës së Ukrainës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) kundër Rusisë.
Sulmi i Rusisë ndaj një termocentrali bërthamor, dyshimet për përdorim të bombave thërrmuese dhe të ashtuquajturave 'bomba vakum' në zona të dendura me banorë, si dhe shënjestrimi i spitaleve, shkollave dhe zonave civile janë përshkruar gjithashtu si krime lufte.
Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) tha se do të niste menjëherë një hetim aktiv të krimeve të mundshme të luftës pas pushtimit rus të Ukrainës.
OKB-ja po krijon, gjithashtu, një komision hetimor për të hetuar shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut nga Rusia.
Pushtimi rus i Ukrainës nisi me 24 shkurt. Që nga kjo ditë janë vrarë qindra ukrainas dhe raportohet për rreth 6,000 ushtarë rusë të vrarë në luftime.
Me gjithë sanksionet e shumta politike e ekonomike, Moska zyrtare nuk i ka ndalur sulmet ushtarake në Ukrainë duke goditur zona të banuara, shkolla dhe spitale.
OBSH-ja së fundi raportoi se që nga fillimi i luftimeve në Ukrainë, janë sulmuar 18 objekte shëndetësore.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.