Ndërlidhjet

Përfundon protesta në Tiranë pas ndërhyrjes së Policisë


Protesta para selisë së PD-së në Tiranë.
Protesta para selisë së PD-së në Tiranë.

Në Tiranë të Shqipërisë ka përfunduar protesta e mbështetësve të ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi Policia, duke përdorur topa uji dhe gaz lotjsellës, largoi protestuesit nga selia e PD-së.

Protesta e 8 janarit u thirr nga ish-kreu i PD-së, Berisha për të marrë kontrollin e selisë së partisë. Ai ka argumentuar se lideri i PD-së, Lulzim Basha është "shkarkuar" nga ky post, përmes një referendumi brendapartiak të zhvilluar dhjetorin e vitit të kaluar. Këtë referendum e kishte iniciuar nga Berisha.

Protesta u mbyll mbi tri orë pas fillimit të saj, teksa Berisha paralajmëroi se nuk do të heqë dorë nga qëllimet e tij për të marrë kontrollin e selisë së PD-së.

Protestuesit tentuan të hynin në selinë e PD-së, por pak orë pas nisjes së protestës, selia u rrethau nga njësitet policore dhe autoritetet e rendit thanë se një qytetar dhe një polic janë plagosur lehtë gjatë përplasjeve.

Policia tha se ndërhyrja u bë me kërkesë të një grupi të deputetëve të Partisë Demokratike "të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit", u tha në njoftim.

Protestuesit duke tentuar që të futen në selinë e PD-së në Tiranë më 8 janar 2022.
Protestuesit duke tentuar që të futen në selinë e PD-së në Tiranë më 8 janar 2022.

Basha: Lajmi më i mirë është se Berisha u braktis nga demokratët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha në një dalje të tij para mediave në orët e mbrëmjes të së shtunës ka akuzuar Sali Berishën për organizim të protestave të dhunshme që sipas tij për qëllim kanë vetëm mbrojtjen e interesave të tij personale.

Basha tha se tentimi i një grupi të drejtuar nga Berisha për të hyrë më dhunë në selinë e PD-së është veprim kriminal.

“Lajm i mirë është fakti se shumica absolute e demokratëve nuk iu përgjigjën thirrjes së Sali Berishës për tu bërë pjesë e skenarit të dhunës. E braktisën siç e kanë braktisur gjatë gjithë këtyre muajve kur ka manipuluar duke gënjyer, mashtruar dhe shpifur për të mbuluar një të vërtetë që tashmë e di çdokush me sy në ballë. Të vërtetën që beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd përveçse për atë vet”, theksoi Basha.

Basha tha se Sali Berisha në betejën për të mbrojtur interesat e tij personale nuk kursen askënd përveç vetes së tij.

Më herët, në kohën sa po zhvillohej protesta, Partia Demokratike në Tiranë tha se Sali Berisha po shfrytëzon një grup protestuesish për të sulmuar selinë e këtij subjekti.

“Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme. Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojnë godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë”, tha PD-ja në një reagim për media.

Berisha: Ndërhyrja e policisë, skenar i përgatitur

Ndërkaq, Berisha tha se kjo protestë është vetëm “faqja e parë e ndritur e qëndresës së burrave, grave dhe vajzave për liri dhe dinjitet njerëzor, por edhe shoqëror. Shoqëria shqiptare meriton votën e lirë”.

“Ky ishte një skenar i përgatitur me kujdes gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk kishte njeri dhe nuk ka asnjë problem me asnjë deputet të PD-së përveç me pengun e (e kryeministrit të Shqipërisë) Edi Ramës që quhet Lulzim Basha”, tha Berisha teksa komentoi ndërhyrjen e policisë.

“Kjo është një lëvizje e pandalshme dhe një betejë e pasosur”, shtoi Berisha.

Protestuesit tentuan që të hynin në seli, në kohën kur brendas saj gjendej kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Protestuesit hapën me forcë derën kryesore të selisë, përpara orës 12:00 e cila është ora në të cilën ishte thirrur protesta. Ata thyen xhama dhe tentuan që të hynin në katin e dytë të ndërtesës. Por, personat brenda selisë, hodhën gaz lotsjellës në drejtim të protesuesve.

Në fillim të protestës, ish-lideri i PD-së, Sali Berisha ka folur para mediave duke kërkuar qetësi nga mbështetësit e tij që janë tubuar para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Ruani qetësinë. Kjo është fytyra e vërtetë kriminale e Lulzim Bashës”, ka deklaruar Berisha në një prononcim para gazetarëve.

“Lulëzim hiq dorë nga dhuna”, ka bërë thirrje Berisha duke e quajtur tubimin protestë paqësore.

Më herët anëtari i kryesisë, Roland Bejko nuk u lejua të hyjë në seli. Që në oborrin e selisë ai u bë objekt fyerjesh, si dhe sulmesh fizike, duke u detyruar të kthehet pas.

Mbështetësit e ish-kryeministrit e pritën me brohoritje këtë të fundit kur ai mbërriti në oborrin e selisë qendrore të partisë. Berisha përsëriti dhe sot se kjo është një protestë paqësore, por situata duket tejet e ndezur.

Ka pasur edhe hedhje gazi lotjsellës në selinë e PD-së nga mbështetësit e Bashës, ndërsa disa protestues po tentojnë që të arrijnë në katin e dytë të ndërtesës.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri thirrje për shmangien e akteve të dhunës, “provokimeve dhe tensioneve të panevojshme”.

“Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, tha presidenti Meta, teksa shtoi se është e rëndësishme që protesta para selisë së PD-së të zhvillohet në mënyrë paqësore.

Ndërkombëtarët dënojnë dhunën para selisë së PD-së

Mbi gjendjen e krijuar të shtunën reagoi ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Në një postim në Twitter ajo shkroi se: “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë qetësisht. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës”.

Dhunën para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë e dënoi edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

“Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD-së. I bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin dhunën. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale”, u tha në reagim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri e ka dënuar dhunën pranë selisë së Partisë Demokratike Shqiptare duke bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.

“Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm”, u tha mes tjerash në reagimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

“Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”, thuhet më tej në reagim.

Protesta e sotme shënon kulmin e një lëvizje që Berisha ndërmori ndaj kryetarit Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara që e shpallën non grata ish-kryeministrin.

Më 18 dhjetor 2021, Berisha inicioi një referendum, përmes së cilit u tha se Basha "u shkarkua" nga kreu i PD-së.

Ndryshe, Sali Berisha dhe anëtarë të familjes së tij u shpallën persona "non grata" nga Shtetet e Bashkuara në maj të vitit 2021.

SHBA-ja tha se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të gjerë dhe ia ka ndaluar hyrjen në shtet.

Berisha, 77 vjeç, ka qenë kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013 dhe ka shërbyer si president në periudhën 1992-1997.

Muajin e kaluar, Zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar tha se do të ishte “pasoja” nëse Partia Demokratike do të zgjidhte për lider një person që është cilësuar si “persona non grata” nga Uashingtoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG