Ndërlidhjet

SHBA-ja angazhohet që Irani të mos ketë armë bërthamore


Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur qëndrimin se angazhohen që Irani të mos posedojë armë bërthamore, disa ditë para se të rifillojnë bisedimet indirekte në Vjenë të Austrisë, që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 e cila kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin tha më 20 nëntor se Uashingtoni do të parandalojë Iranin që të posedojë armë bërthamore dhe do të kundërshtojë "përdorimin e rrezikshëm" të dronëve vetëvrasës në Lindjen e Mesme.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të parandaluar që Irani të ketë një armë bërthamore. Ne mbetemi të përkushtuar që kjo çështje të zgjidhet përmes diplomacisë”, tha Austin gjatë një vizite në Bahrein.

Aleatët arabë të SHBA-së kanë shprehur disa herë shqetësime sa i takon programit bërthamor të Iranit dhe aktivitetet ushtarake të Teheranit në rajon.

“Nëse Irani nuk është i gatshëm të angazhohet seriozisht, atëherë ne do të shikojmë të gjitha opsionet e nevojshme për të mbajtur Shtetet e Bashkuara të sigurta”, shtoi ai.

Që kur presidenti i atëhershëm Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018, një seri incidentesh kanë goditur rajonin, duke përfshirë sulme me dronë dhe sulme që kanë shënjestruar anijet në det. Teherani ka ulur angazhimet për zbatimin e marrëveshjes.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka premtuar se do t'i bashkohet sërish marrëveshjes bërthamore nëse Irani i kthehet zbatimi të plotë të saj.

Bisedimet në Vjenë që synojnë ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015, e cila kufizoi ndjeshëm programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, do të rifillojnë më 29 nëntor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG