Ndërlidhjet

Imunizimi prej 60% rrezikohet nga ata që s’e duan vaksinën


Një punëtore shëndetësore në Gjilan të Kosovës, bëhet gati të administrojë një dozë të vaksinës Pfizer.
Një punëtore shëndetësore në Gjilan të Kosovës, bëhet gati të administrojë një dozë të vaksinës Pfizer.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë do ta kenë të vështirë të vaksinojnë 60 për qind të popullatës kundër sëmundjes COVID-19, deri në fund të këtij viti, thotë epidemiologu, Isuf Dedushaj dhe infektologu, Xhevat Demiri. Sipas tyre, në këtë proces, problem po paraqet hezitimi i qytetarëve që të imunizohen.

Në Planin Shtetëror të Imunizimit dhe në programin e Qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thuhet se “deri në fund të këtij viti, në Kosovë do vaksinohet 60 për qind e popullatës”.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, nëse një pritje e tillë për vaksinim deri në 60 për qind do të mund të përmbushet, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Në Kosovë nga muaji mars, kur ka filluar procesi i imunizimit, deri më tani janë administruar rreth 1.2 milion doza, nga to rreth 453,000 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit.

Kosova ka rreth 1.8 milion banorë dhe nëse llogaritet numri i të vaksinuarave me të dy dozat, atëherë rezulton se në Kosovë 25 për qind e qytetarëve janë të imunizuar plotësisht.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë një dite administrohen mbi 20,000 doza të vaksinave.

Epidemiologu Isuf Dedushaj thotë për Radion Evropa e Lirë se vaksinimi varet nga vullneti i qytetarëve për imunizim, pasi aktualisht vaksina dhe personel shëndetësor ka të mjaftueshëm për këtë proces.

“Dalin njerëz të ndryshëm pa kurrfarë kompetencash dhe flasin për vaksina. Kjo është e tmerrshme. Unë që 50 vjet merrem me këtë problem dhe nuk kam guxim të flas ashtu siç flasin disa qytetarë, që vërtet i kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha shëndetit të popullsisë”, thekson ai.

Dinamika e vaksinimit është solide për të besuar që edhe tre muaj mund të vaksinohen edhe 40 për qind e mbetur e popullsisë së përgjithshme, thotë për Radion Evropa e Lirë, infektologu Xhevat Demiri. Mosvaksinimi i qytetarëve, sipas tij, pamundëson imunizimin kolektiv të popullatës.

“Dëshira është tjetër dhe mundësia tjetër. Ajo që po vërehet kohëve të fundit, qytetarët nuk janë shumë të interesuar për vaksinim për shkak të disa teorive konspirative që po shkruhen. Por, për të thënë se vaksinimi e ka arritur pikun, nevojitet që 60 për qind e popullatës të vaksinohet. Edhe pse thuhet se vaksina ka të mjaftueshme në stoqe, por mungon një vetëdijësim dhe fushatë më ‘agresive’ për këtë çështje”, shprehet ai.

Dedushaj: Vaksinimi të bëhet i detyrueshëm

Epidemiologu Dedushaj dhe infektologu Demiri, theksojnë se imuniteti i tufës ndaj koronavirusit do të arrihet pasi të vaksinohet 70 deri në 80 për qind e popullatës. Por, nëse Kosova arrin të vaksinojë 60 për qind të popullsisë, sipas tyre, sëmundja mund të jetë nën kontroll.

Për të arritur këtë përqindje, sipas epidemiologut Dedushaj, e vetmja mundësi ka mbetur që ekipet mobile shëndetësore të shkojnë nëpër shtëpi dhe të vaksinojnë qytetarët. Madje sipas tij, vaksinimi duhet të jetë i detyrueshëm.

“Në botë po zhvillohet pandemi, dhe në mjekësinë bashkëkohore dhe moderne ka shkaktuar aq shumë viktima. Në këto raste pandemie, duhet të veprojë dora e shtetit. Nuk ka të thuhet ‘nuk dua’. Shkelje e të drejtave të njeriut do të ishte sikur shteti nuk siguron masën më të sigurt, më efikase dhe të vetmen masë për shpëtimin e jetës, që është vaksina. Fatmirësisht, shteti ynë ka siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinës, dhe këtu nuk ka çka të pritet, të vaksinohen qytetarët “, thekson Dedushaj.

Në rajon, shteti i Serbisë prin me përqindjen më të lartë të vaksinimit të qytetarëve kundër koronavirusit.

Deri më tash ky shtet ka vaksinuar 43 për qind të popullsisë së përgjithshme, Maqedonia e Veriut 32 për qind, po aq edhe Mali i Zi, Shqipëria 26 për qind, ndërkaq Bosnje e Hercegovina ka arritur të vaksinojë vetëm 13 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG