Ndërlidhjet

Kurti: Mund të ketë studime, por Ujmani është i Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e institucioneve që Liqenin e Ujmanit ta konsiderojnë si “liqe artificial të Kosovës”.

“Qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta”, tha Kurti në një konferencë për media të mërkurën (30 qershor) pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar javën e kaluar, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se mund të prodhohen analiza e studime por është “detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqe artificial i Kosovës”.

“Atë (Liqenin) e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, tha Kurti.

Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.

Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja është nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, lidhur më këtë çështje, javën e kaluar, ka shkruar në rrjetin social, Facebook, duke thënë se qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Më 8 shtator 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte vizituar Liqenin e Ujmanit, ose siç e quajnë serbët të Gazivodës, ku kishte thënë se “Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët“.

Kryeministri Kurti ka minimizuar pikat tjera të Marrëveshjes së Uashingtonit, duke thënë se "pika më e rëndësishme e saj është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar".

Fjala është për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Në kohën kur ishte arritur Marrëveshja e Uashingtonit, ish-presidenti amerikan, Donald Trump e pati quajtur si “historike”.

Edhe administrata e presidentit Biden e ka mbështetur këtë marrëveshje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në janar, pati folur me tone pozitive për angazhimin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se në raport me dialogun me Serbinë, qasja e paqartë e Qeverisë së Kosovës është peng i deklaratave të mëhershme të kryeministrit Kurti. Sipas saj, Kurti më herët ka shprehur qëndrime mjaft kritike lidhur me dialogun me Serbinë, për marrëveshjet e arritura në këtë proces, por edhe për zotimet e 4 shtatorit në Uashington.

“Marrëveshjet, të cilat janë nënshkruar dhe kanë hyrë në fuqi, janë punë e përfunduar. Ashtu sikurse edhe Marrëveshja e Uashingtonit. Ne duhet të mendojmë se jemi shtet që merr obligime ndërkombëtare dhe pavarësisht se kush është kryeministri për momentin, shteti duhet të vazhdojë t’i zbatojë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar vet dhe është zotuar se do t’i zbatojë”, ka thënë Lushaku- Sadriu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG