Roskomnadzor, rregullatori i medias në Rusi e ka njoftuar Radion Evropa e Lirë (REL) se po planifikon të hartojë një seri tjetër prej 130 protokollesh kundër saj me pretendimin se ka bërë shkelje të ligjit për "agjent të huaj", në bazë të së cilit kërkohet etiketimi i përmbajtjes.
Vlera e këtyre protokolleve për shkelje të ligjit arrin në rreth 980,000 dollarë.
Akuzat do të përpilohen dhe shpallen midis 15 qershorit dhe 6 korrikut dhe do t’i dërgohen për vendim gjykatës.
Deri më tani REL-i është akuzuar nga Roskomnadzor për rreth 520 shkelje të rregullave të etiketimit sipas ligjit "të agjentëve të huaj".
Bashkë me 130 protokollet e paralajmëruara numri i përgjithshëm do të arrijë në 650.
Pasi për të gjitha të vendosë gjykata, atëherë gjobat ndaj REL-it do të arrijnë shumën e 3.4 milionë dollarësh.
REL-i i ka cilësuar gjobat si një “fushatë e detyrimit dhe frikësimit e sponsorizuar nga shteti”.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka thënë se ato janë "të patolerueshme".
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, tha prmes një deklarate më 2 qershor se përmes gjobave Rusia po përpiqet të shuaj ekzistencën e REL-it në Moskë.
“Pavarësisht këtyre sulmeve ndaj operacioneve tona, ne do të dyfishojmë përpjekjet për të siguruar lajme dhe informacione objektive për audiencat tona në Rusi. Ky presion mbi REL-in po dëmton vetëm popullin rus pasi po e privon nga përzgjedhja e informacioneve”, tha Fly.
Ligji për “agjentët e huaj” në Rusi është miratuar në vitin 2012 dhe është modifikuar vazhdimisht.
Ai kërkon nga organizatat joqeveritare që marrin ndihmë të huaj dhe për të cilat Qeveria ruse mendon se janë të angazhuara në veprimtari politike, të regjistrohen, ta identifikojnë veten si “agjente të huaja” dhe t'u nënshtrohen auditimeve.
Moska po e përdor ligjin gjithnjë e më shumë kundër mediave në gjuhën ruse në vend, përfshirë REL-in. Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë që të shfuqizojë ligjin.