Ndërlidhjet

Komuniteti ndërkombëtar kërkon zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit


Manastiri i Deçanit.
Manastiri i Deçanit.

Pesë vende perëndimore kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe në Kosovë, përmes një komunikate të përbashkët thonë se "qeverisë së re të Kosovës iu dha një mandat i fuqishëm për reforma dhe respektim të sundimit të ligjit". Sipas tyre provë kryesore e vendosmërisë së saj do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

“E inkurajojmë atë (Qeverinë) që pa vonesa të vazhdojë me procesin e regjistrimit të pronës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG