Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, porositi liderët e rajonit që çështja e personave të pagjetur të mos jetë peng i politikës.
Kosova të martën shënon Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kosnett vlerëson përparimin e bërë së fundi në këtë drejtim, megjithatë thekson se familjarëve ende u mungojnë përgjigjet për më të dashurit e tyre.
Përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999, rezultoi me evidentimin e 6 mijë e 50 personave të pagjetur.
Rreth 70 për qind të këtyre personave, tashmë janë gjetur në varrezat masive në Kosovë dhe Serbi, ndërkaq që fati dhe vendndodhja edhe e 1 mijë e 650 personave të tjerë, kryesisht shqiptarë, por edhe të komuniteteve tjera, mbeten të pandriçuara.
Kjo çështje është diskutuar edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Por, familjarët e personave të pagjetur në Kosovë dhe opinioni vendor ende nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën zyrtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel, qysh në shtator të vitit 2020, kishin deklaruar se është arritur me Serbinë.
Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, patën theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
“Pikat për të cilat jemi pajtuar, nuk janë bërë publike, përderisa nuk arrihet marrëveshja e përgjithshme sepse janë të paqena në qoftë se nuk ka marrëveshje të përgjithshme”, pati thënë anëtari i atëhershëm i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve, Ibrahim Makolli.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Por, zyrtarët e qeverisë të pyetur nga Radio Evropa e Lirë, më 27 mars, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se çfarë përmbajnë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën palët në Bruksel, kishin arritur pajtim.
Të martën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti bën homazhe te memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Ata u zotuan se do të bëjnë çmos për të zbardhur fatin e personave të pagjetur në Kosovë.