Ndërlidhjet

Kina fuqizon kontrollin mbi Hong Kongun


Gjatë protestave pro-demokracisë në Hong Kong më 2019.
Gjatë protestave pro-demokracisë në Hong Kong më 2019.

Kina ka miratuar një plan të ri të reformës së sistemit zgjedhor për Hong Kongun, që do të forcojë kontrollin e Pekinit mbi qytetin.

Legjislacioni i ri u nënshkruan nga presidenti Xi Jinping, njoftoi media shtetërore më 30 mars.

Ndryshimet ligjore i japin një komisioni pro-Pekinit fuqinë për të kontrolluar të gjithë kandidatët për Parlamentin e Hong Kongut dhe për të zgjedhur shumë prej anëtarëve të tij. Kritikët kanë thënë se kjo reformë nënkupton fundin e demokracisë për Hong Kongun.

Sipas ligjit të ri, Parlamenti i Hong Kongut do të zgjerohet nga 70 në 90 vende.

Komiteti i zgjedhjeve pro-Pekinit i Hong Kongut, i ngarkuar me zgjedhjen e shefit ekzekutiv të qytetit do të zgjedhë 40 përfaqësues të legjislaturës. Vetëm 20 vende do të zgjidhen drejtpërdrejt. Tridhjetë të tjerët do të zgjidhen nga organe që përfaqësojnë industri të caktuara dhe grupe të veçanta interesi që kanë qenë historikisht besnikë ndaj Pekinit.

Si drejtohet Hong Kongu?

Hong Kongu qeveriset në bazë të Ligjit themelor. Dokumenti është një mini-kushtetutë që i mundëson Hong Kongut liri të veçanta brenda Kinës.

Britania e Madhe ia ktheu Hong Kongun Kinës më 1997 dhe Ligji themelor u krijua sipas marrëveshjes së dorëzimit nën parimin "një vend, dy sisteme".

Ky dokument në thelb i jep Hong Kongut më shumë liri sesa pjesa tjetër e territorit të Kinës. Këto liri, sipas dokumentit, duhet të ruhen deri në vitin 2047.

Por, në vitet e fundit Pekini gradualisht ka rritur ndikimin e tij në Hong Kong.

Gjatë viteve të fundit në vazhdimësi ka pasur protesta pro-demokracisë. Situata u përshkallëzua në vitin 2019, pasi rajoni u përfshi nga një valë e dhunës mes protestuesve dhe forcave policore.

Në vitin 2020, Pekini miratoi një ligj të sigurisë kombëtare, të cilin e përfshiu në një aneks të Ligjit themelor. Përmes kësaj, u minua autonomia e gjyqësorit në Hong Kong, duke e bërë më të lehtë dënimin e demonstruesve.

Që atëherë, një numër kritikësh janë arrestuar sipas ligjit, i cili parasheh edhe burgimin e përjetshëm. Shumica e politikanëve dhe aktivistëve pro-demokracisë janë burgosur ose internuar.

Kritikët kanë pohuar se me këto lëvizje Kina po minon parimin "një vend, dy sisteme", por Pekini e mohon këtë.

Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara të botës, i njohur si G7 dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se masa e fundit e Pekinit "tregon se autoritetet në territorin e Kinës janë të vendosur të eleminojnë zërat dhe mendimet kundërshtuese në Hong Kong".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG