Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë ,duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Reagimi i BE-së është bërë pas një deklarate të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, e cila është cilësuar si mohim apo relativizim i gjenocidit në Srebrenicë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti nëse, si ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, ai ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri Leposaviq ka thënë se ai nuk mund të njihte ose të mos e njihte një ngjarje "për të cilën nuk ka njohuri" .
Leposaviq ka thënë se ai ishte i gatshëm të pranonte që krimi i gjenocidit ishte kryer në Srebrenicë "kur kjo të vërtetohet pa dyshime".
“Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Vitin e kaluar shënuam 25 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një prej kapitujve më të errët në historinë moderne të Evropës. Është koha e fundit që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”, thuhet në qëndrimin e BE-së.
Në të njëjtën deklaratë rikujtohet se BE-ja “është bashkim i vlerave” dhe se “mohimi i fakteve të dëshmuara dhe dokumentuara mirë për ngjarjet e luftës, përfshirë edhe krimet e luftës, apo revizionizmi, shkojnë kundër themeleve të këtyre vlerave”.
“Nga secili vend që aspiron të anëtarësohet në BE pritet që të respektoj dhe promovojë vlerat demokratike të BE-së, të drejtat e njeriut, tolerancën dhe drejtësinë. Kjo përfshinë edhe trajtimin e viktimave të gjenocidit me respektin dhe dinjitetin më të madh”, thuhet në deklaratën e BE-së, dërguar mediave.
Bashkimi Evropian zakonisht dënon mohimet e krimeve dhe gjenocidit e madje si nga shtetet anëtare ashtu edhe nga ato kandidate kërkon që mohimi i veprave të gjenocidit të bëhet i dënueshëm me ligj.
Në Mal të Zi, pas zgjedhjeve të fundit është krijuar qeveria në krye të së cilës janë partitë pro serbe. Ato, së paku në deklarimet publike janë shprehur të përkushtuara për të respektuar obligimet e Malit të Zi si shtet anëtar i NATO-s dhe aspiratat për anëtarësim në BE.
Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë tha se ishte e shqetësuar me deklarimet që vinin në dyshim atë që ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë luftës së vitit 1995.
"Shpresojmë që Qeveria e Malit të Zi do të dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ishte - gjenocid", thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë.