Ndërlidhjet

BE-ja kërcënon me ndalesë eksportet e vaksinave AstraZeneca


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërcënoi me ndalimin e eksportit të vaksinave AstraZeneca kundër COVID-19, nëse blloku nuk pranon më parë dërgesat e premtuara nga ana e kompanisë.

"Ky është mesazhi për AstraZeneca: së pari përmbushni kontratën tuaj me Evropën pastaj filloni të dërgoni në vendet e tjera", i tha von der Leyen grupit mediatik Funke të Gjermanisë.

Ky paralajmërim bëhet në kohën kur vendet Bashkimi Evropian po përpiqen të përshpejtojnë fushatën e vaksinimit. Shumë vende anëtare po përballen me rritje të numrit të të infektuarve dhe kanë rivendosur kufizimet e lëvizjes.

Von der Leyen tha se kompania farmaceutike anglo-suedeze AstraZeneca kishte shpërndarë vetëm 30 për qind të 90 milionë dozave të vaksinës që kishte premtuar për tremujorin e parë të vitit.

Kompania ka fajësuar për vonesat e prodhimit uzinat e saj në BE, por zyrtarët evropianë janë të zemëruar që AstraZeneca ka qenë në gjendje të realizojë kontratën e saj në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa nuk ka arritur ta zbatojë me Bashkimin Evropian.

Ursula von der Leyen kishte kërcënuar edhe të mërkurën se do të kërkonte kompetenca emergjente për të bllokuar eksportet e vaksinave për të siguruar "reciprocitet" me furnizuesit e tjerë.

Imunizimi kundër COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian ka ngecur për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave por edhe për arsye se disa vende evropiane e pezulluan përdorimin e vaksinës se Oxford-AstraZeneca kundër COVID-19, për shkak të frikës nga efektet anësore të mundshme.

Pavarësisht se rregullatori evropian i barnave tha se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe efektive, disa vende hezitojnë të vazhdojnë fushatat e tyre të imunizimit.

Autoriteti shëndetësor i Finlandës ka njoftuar një pezullim në përdorimin e vaksinës që do të zgjasë të paktën një javë.

Zyrtarët kanë thënë se kjo është një masë paraprake pasi u raportua për mpiksje të gjakut te dy pacientë që ishin injektuar me këtë vaksinë, raporton BBC.

Ndërkohë, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia thanë të premten se u duhej më shumë kohë për të vendosur nëse do të rinisnin vaksinimet me vaksinën e AstraZeneca-s.

Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Holanda janë ndër vendet që kanë rifilluar fushatat e tyre të vaksinimit me AstraZeneca. Autoritetet shëndetësore në Francë kanë rekomanduar që vaksina t'u ofrohet vetëm njerëzve të moshës 55 vjeç e lart.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rishikoi sigurinë e kësaj vaksine pasi 13 vende evropiane pezulluan përdorimin e saj për shkak të frikës nga një lidhje me mpiksjen e gjakut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar vendeve të vazhdojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca.

Të premten, ekspertët në OBSH thanë se vaksina kishte "potencial të jashtëzakonshëm për të parandaluar infektimin dhe për të zvogëluar vdekjet në të gjithë botën".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG