Ndërlidhjet

Senatorët amerikanë dënojnë ‘sulmin’ e Rusisë mbi REL-in  


Selia qendrore e Radios Evropa e Lirë në Pragë të Çekisë. Fotografi nga arkivi.
Selia qendrore e Radios Evropa e Lirë në Pragë të Çekisë. Fotografi nga arkivi.

Një grup i senatorëve amerikanë, demokratë e republikanë, i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalë “sulmin e sponsorizuar nga shteti i Rusisë ndaj lirisë së medias”, përmes shënjestrimit të Radios Evropa e Lirë.

Përmes një deklarate, demokratët dhe republikanët në Komitetin e Senatit për marrëdhënie me jashtë thanë se ambienti medial në Rusi është duke u përkeqësuar dhe theksuan se Radio Evropa e Lirë, që financohet nga SHBA-ja, po goditet përmes një ligji kundërthënës për “agjentët e huaj”.

Agjencia shtetërore ruse për monitorimin e mediave, Roskomnadzor, ka hapur 260 raste kundër Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë, për siç është thënë, dështimin që të shënojë materialet e shkruara dhe raportet në përputhje me rregulloret. Një gjykatë në Moskë tashmë ka vendosur gjoba në vlerë prej rreth një milion dollarësh për 142 raste.

“I punësuar për një kohë të gjatë për ta dobësuar shoqërinë civile ruse, Kremlini për një kohë të gjatë po përdor ligjet ‘për agjentë të huaj’ si pretekst për të heshtur Radion Evropa e Lirë në Rusi, duke dërguar lëndë në gjykata dhe duke vendosur gjoba”, thanë në një deklaratë të përbashkët senatorët Chris Coons (demokrat), Mitt Romney (republikan), Marco Rubio (republikan) dhe kreu i Komitetit të Senatit për marrëdhënie me jashtë, demokrati Bob Menendez.

Radio Evropa e Lirë financohet nga Kongresi amerikan.

Senatorët akuzuan Putinin se po e konsolidon kontrollin ndaj mediave duke miratuar ligje që ndëshkojnë kritikët, teksa kërcënon sigurinë e anëtarëve të mediave.

“Në këtë mjedis të ashpër mediatik, REL-i ka kryer një punë të paçmuar për popullin rus, duke iu ofruar atyre lajme lokale të pacensuruara, që synojnë të përmbushin standardet më të larta të gazetarisë objektive”, thanë senatorët amerikanë.

Rastet gjyqësore ndaj REL-it nënkuptojnë se derisa ato presin që të apelohen, duhet të paguhen gjobat që shqiptohen në përputhje me rregulloret, ose në të kundërtën REL-i përballet me mbyllje të mundshme të operacioneve brenda Rusisë.

Më herët gjatë këtij muaji, Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu “shqetësimin e thellë” lidhur me atë që i cilësoi si përpjekje të Qeverisë ruse për të “ndaluar ushtrimin e lirisë së shprehjes”.

Deklarata e senatorëve vjen në të njëjtën ditë kur një gjykatës në Moskë refuzoi pesë apele të REL-it për gjobat që janë vendosur sipas ligjit për “agjentë të huaj”.

Legjislacioni rus për të ashtuquajturit “agjentë të huaj” është miratuar më 2012 dhe që atëherë është modifikuar vazhdimisht. Ky ligj kërkon që organizatat joqeveritare që pranojnë ndihmë të huaj, e të cilat qeveria i vlerëson se janë të përfshira në aktivitete politike, duhet të regjistrohen dhe ta identifikojnë veten si “agjentë të huaj” dhe t’i nënshtrohen auditimeve.

Pas ndryshimeve në këtë ligj, edhe mediat që financohen nga jashtë, shënjestrohen nga ky ligj.

Radio Evropa e Lirë rrezikon të shuhet në Rusi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:09:02 0:00

Më 2017, Qeveria ruse e vendosi Shërbimin Rus të REL-it në listën e agjentëve të huaj si dhe gjashtë shërbime të tjera të REL-it në gjuhën ruse dhe Current Time, rrjetin që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

Në fund të vitit 2020, ky legjislacion u ndryshua, duke i lejuar Qeverisë ruse që të përfshijë edhe individë, përfshirë edhe gazetarë të huaj, në listën e saj për “agjentë të huaj”, duke mundësuar që të vendosë kufizime ndaj tyre.

Në dhjetorin e vitit 2020, autoritetet shtuan pesë individë në listën e “agjentëve të huaj”, përshirë edhe tre bashkëpunëtorë të Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë. Që të pesë këta persona kanë apeluar këtë vendim.

Roskomnadzor vitin e kaluar ka miratuar rregulla që kërkon që mediat që janë në këtë listë të shkruajnë një tekst për të gjitha materialet e shkruara, audio dhe audio-vizuele. Presidenti i REL-it, Jamie Fly i ka quajtur këto rregulla si “urdhra për të zhvlerësuar përmbajtjen tonë dhe për të frikësuar audiencën tonë”. Ai ka shtuar se REL-i do të vazhdojë të “kundërshtojë, protestojë dhe apelojë këto kërkesa”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG