E fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi, ka bërë thirrje për ndëshkim “pa vonesa” të princit të kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman, lidhur me vrasjen e tij.
“Kjo nuk do të sjellë vetëm drejtësinë që kemi kërkuar… mirëpo mund të parandalojë kryerjen e akteve të ngjashme”, ka thënë Hatice Cengiz përmes një deklarate.
Cengiz, hulumtuese akademike turke, u ka kërkuar liderëve botërorë që të distancojnë veten nga princi i kurorës dhe të sanksionojnë Arabinë Saudite.
“Duke nisur nga Administrata Biden, është vitale për të gjithë liderët botërorë që ta pyesin veten nëse janë të përgatitur për të shtrënguar duart me (princin Mohammed)”, ka thënë ajo.
“I bëj thirrje secilit të vendosë duart në zemër dhe të bëjë fushatë për ndëshkim të princit të kurorës”, ka thënë Cengiz.
Ky reagim i saj vjen pasi një raport i inteligjencës amerikane ka gjetuar se princi i kurorës ka miratuar vrasjen e Khashoggit.
Arabia Saudite, në anën tjetër, ka kundërshtuar raportin.
Princi i kurorës Mohammed, që në fakt është udhëheqës i mbretërisë, ka mohuar çfarëdo roli në vrasje.
Khashoggi është vrarë teksa ka qenë duke vizituar konsullatën saudite në Stamboll, në tetor të vitit 2018, dhe trupi i tij është copëtuar.
Gazetari 59-vjeçar ka qenë këshilltar i Qeverisë saudite dhe i afërt me familjen mbretërore, mirëpo më 2017 ka kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara.
Nga atje, ai ka shkruar një kolumnë mujore në të përditshmen amerikane Washington Post, në të cilën ka kritikuar politikat e princit Mohammed.
Në kolumnën e tij të parë për gazetën, ai kishte thënë se frikësohet se mund të arrestohet në kuadër të shtypjes që u bën princi disidentëve.
Autoritetet saudite kanë thënë se vdekja e Khashoggit është rezultat i një “operacioni mashtrues” të një ekipi agjentësh, të cilët janë dërguar në ambasadë për ta kthyer gazetarin në Arabinë Saudite.
Ky shtet ka dënuar pesë individë me 20 vjet burgim në shtator të vitit të kaluar, ndonëse fillimisht ata janë dënuar me dënim me vdekje.
Më 2019, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara Agnes Callamard, ka akuzuar shtetin saudit për “ekzekutim të paramenduar” të Khashoggit, derisa gjyqin saudit e ka konsideruar “antitezë të drejtësisë”.