Ndërlidhjet

Vuçiq: Pres presion që Serbia ta njohë Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, të bëjnë presion ndaj Serbisë për të njohur Kosovën në periudhën e ardhshme.

Pas një takimi të Partisë së tij Përparimtare Serbe, Vuçiq tha se Serbinë e pret një “periudhë e vështirë”, gjatë së cilës do t’iu ekspozohet “të gjitha presioneve, fushatave dhe të pavërtetave të mundshme”.

“Është e rëndësishme të kuptohet pesha e pozitës në të cilën jemi sidomos tani, pas ndryshimit në administratën amerikane. Duhet të pritet presion i përqendruar i BE-së dhe SHBA-së mbi Serbinë, për të përmbushur kërkesat për, siç e thonë hapur amerikanët, njohjen e Kosovës… ndërsa, BE-ja do të përdorë një fjalor pak më ndryshe, por do të shkojë drejt të njëjtit qëllim”, tha Vuçiq.

Ai tha se në takimin e partisë së tij janë analizuar edhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe se Lista Serbe ka arritur “dominim absolut” në mesin e serbëve në veri të Kosovës. Ajo ka pasur një rezultat pak më të dobët në mjediset në jug të Lumit Ibër, tha Vuçiq.

“Do të marrim hapa dhe masa që, me mjete demokratike, t’i kundërvihemi dhunës së subjekteve politike shqiptare, që abuzojnë me përfaqësues të caktuar serbë… [Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje] Albin Kurti thotë se dëshiron të flasë vetëm me disa serbë nga Kosova, e jo me Beogradin, në mënyrë që të mund të thotë se Kosova është e pavarur. Populli serb e ka kuptuar këtë dhe kjo është arsyeja përse e ka votuar Listën Serbe në atë masë. Por, jo të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare do ta kuptojnë lehtë këtë”, tha Vuçiq.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Vuçiq tha se në takimin e partisë së tij u fol edhe për vizitën që do të realizojë javën e ardhshme përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Do të flasim për atë që Serbia mund të bëjë, për atë që nuk mund të bëjë, për atë që dëshiron dhe për atë që nuk na shkon në mend me asnjë kusht”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu njoftoi se, në ditët në vijim, do të mbahet një takim në qytetin serb të Kurshumlisë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq tha se rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë i kanë garantuar Listës Serbe vend në Qeveri, por shtoi se i takon asaj të vendosë nëse duhet pranuar.

Lidhur me sulmin ndaj djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, Vuçiq tha se askush nuk e rrahu djalin e Rashiqit për arsye politike. Ai tha se disa u përpoqën ta akuzojnë Serbinë dhe Listën Serbe për këtë.

Nenad Rashiq është udhëheqës i Partisë Përparimtare Demokratike, e cila është në kundërshtim me Listën Serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG