Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë, mirëpo ka kërkuar reforma dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën e cila përfshin njohjen e ndërsjellë.
“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në një letër të cilën presidenti Biden i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë që shënohet me 15 shkurt. Letra është publikuar në faqen zyrtare të presidencës së Serbisë.
Çfarë ka thënë Vuçiq për kërkesën amerikane?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se edhe në Uashington ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij të “mbrojë interesat serbe dhe se Dita e Shtetësisë (15 shkurt) është më e rëndësishme sesa dëshirat e shqiptarëve dhe amerikanëve”.
“Kam pranuar urimin, e falenderoj. Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj në lidhje me të dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”, tha Vuçiq, të dielën, gjatë një vizite në një kazermë të ushtrisë serbe në Pançevë.
Thirrja e Bidenit për njohje të ndërsjellë është mirëpritur nga autoritetet në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se “është pa dyshim e qartë se e vetmja rrugë përpara në dialog është marrëveshja për njohje reciproke”.
“Një qasje e munguar që nga fillimi i dialogut - një qasje e nevojshme për përfundimin e tij me sukses”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Dialogu është thënë se ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Serbia i quan bisedime teknike dhe refuzon të diskutohet për njohje derisa Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.
Presidenti serb, Vuçiq dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti takimin e fundit e kanë pasur më 7 shtator të vitit 2020. BE-ja, si ndërmjetësuese e këtij procesi, ka thënë se raunde të reja të bisedimeve nuk do të ketë, deri pasi në Kosovë të dalin institucionet e reja nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt.
Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.
Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.