Ndërlidhjet

Biden mban qëndrim të ashpër ndaj Turqisë


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së Joe Biden në vitin 2016. Në atë kohë Biden ishte nënpresident i SHBA-së.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së Joe Biden në vitin 2016. Në atë kohë Biden ishte nënpresident i SHBA-së.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po mban një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemit raketor rus.

Biden nuk e ka ndryshuar qëndrimin e administratës së paraardhësit të tij, Donald Trump për këtë çështje.

"Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Ne i bëjmë thirrje Turqisë të mos e mbajë sistemin S-400", tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Turqia e bleu sistemin S-400 nga Rusia në vitin 2019.

Ky bashkëpunim u bë pasi Ankaraja nuk arriti të pajtohet me kushtet e Shteteve të Bashkuara për blerjen e sistemit mbrojtës amerikan, të cilin e kanë zgjedhur shumica e vendeve anëtare të NATO-s.

Blerja e sistemit rus tensionoi raportet midis Uashingtonit dhe Ankarasë.

SHBA-ja tha se një bashkëpunim i tillë ushtarak me Moskën nga ana e Turqisë ishte i papranueshëm për NATO-n. Shtetet e Bashkuara paralajmëruan gjithashtu se kjo do të rrezikonte sigurinë e teknologjisë ushtarake dhe personelit amerikan si dhe atë të Turqisë.

Por, Turqia nuk u tërhoq nga vendimi i saj. Si kundërpërgjigje Shtetet e Bashkuara pezulluan pjesëmarrjen e Ankarasë në programin e blerjes së aeroplanëve F-35, por në ndërkohë vazhduan të negociojnë.

Shtetet e Bashkuara u zemëruan edhe më shumë kur në tetor të vitit 2020, Turqia filloi testimin e sistemit raketor rus.

Pentagoni në atë kohë tha se ky veprim rrezikonte të kishte pasoja serioze për marrëdhëniet SHBA-Turqi.

"Vendimi i tyre për të blerë S-400 është në kundërshtim me angazhimet e Turqisë si një aleat i SHBA dhe NATO. Turqia ka pasur mundësi të shumta gjatë dekadës së fundit për të blerë sistemin e SHBA-së por në vend të kësaj zgjodhi të blinte sistemin rus, i cili i siguron të ardhura dhe ndikim Rusisë", tha Kirby.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në janar pati thënë se shpreson për arritjen e një kompromisi me presidentin Biden që do të lejonte Ankaranë të riintegrohej në programin e avionëve luftarakë F-35, por kontaktet midis administratës së re amerikane dhe Turqisë kanë qenë të kufizuara.

Që nga marrja e detyrës më 20 janar, Biden nuk ka folur ende me Erdoganin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG