Ndërlidhjet

Mianmari bllokon Facebook-un për hir të "stabilitetit"


Ilustrim.
Ilustrim.

Facebook dhe rrjete tjera sociale janë bllokuar në Birmani, disa ditë pasi ushtria ka fituar kontrollin e shtetit, dhe ka ndaluar lideren de fakto, Aung San Suu Kyi.

Facebook dhe vëzhgues të internetit, kanë konfirmuar më 4 shkurt se ofruesve të këtyre shërbimeve u janë bllokuar disa qasje.

Në mesin e platformave të bllokuara në këtë shtet, që njihet edhe si Mianmar, janë Facebook, WhatsApp dhe Instagram.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të rikthejnë lidhjet, në mënyrë që njerëzit në Mianmar të mund të komunikojnë me familjen dhe miqtë dhe t’i qasen informacionit të rëndësishëm”, ka thënë zëdhënësi i Facebook-ut, Andy Stone.

Njerëzit në Mianmar kanë përdorur tejet shumë Facebook-un, prej kur ushtria ka fituar kontrollin më 1 shkurt.

Para se të bllokohej qasja, ata e kanë shfrytëzuar këtë platformë për të kundërshtuar veprimet e ushtrisë.

Ministria për Komunikime dhe Informacion, ka thënë se Facebook do të mbetet i bllokuar deri më 7 shkurt.

“Aktualisht njerëzit që janë të shqetësuar për stabilitetin e shtetit... janë duke përhapur lajme të rreme dhe dezinformata, duke shkaktuar keqinformim te njerëzit që përdorin Facebook-un”, është cituar të ketë thënë kjo ministri sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ndalimi i Suu Kyi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe më 1991, ka nxitur thirrje për lirim nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet perëndimore.

Ushtria e ka akuzuar qeverinë e saj se nuk ka hetuar supozimet për mashtrime me vota në zgjedhjet e 8 nëntorit, në të cilat partia e Suu Kyis ka fituar 80 për qind të votave, sipas Komisonit Zgjedhor.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se puçi “është i papranueshëm” pas zgjedhjeve, që sipas tij “janë mbajtur normalisht”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mobilizuar aktorët kyçë dhe komunitetin ndërkombëtar, për të bërë mjaftueshëm presion te Mianmari dhe për t’u siguruar që ky puç të dështojë”, ka thënë Guterres në një intervistë për Washington Post.

Kush është Aung San Suu Kyi?

Aung San Suu Kyi është vajza e heroit të Mianmarit për pavarësi, Gjeneralit Aung San, i cili është vrarë pak para se Mianmari të pavarësohej nga rregulli koloninal britanik më 1948.

Ajo ka kaluar gati 15 vjet në burg në periudhën 1989-2010.

Suu Kyi është parë fillimisht si fener i të drejtave të njeriut – më 1991 ajo është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, derisa ka qenë ende nën arrest shtëpiak dhe është konsideruar “si shembull i jashtëzakonshëm për fuqi të atyre që nuk kanë fuqi”.

Në nëntor të vitit 2015, ajo ka udhëhequr Ligën Kombëtare për Demokraci drejt një fitoreje në zgjedhjet e para të mbajtura në mënyrë të hapur në Mianmar, në 25 vjet.

Kushtetuta ia ndalon asaj që të jetë presidente sepse ka fëmijë që kanë shtetësi të huaj, mirëpo 75-vjeçarja është parë si lidere de fakto.

Në vjetët e fundit, udhëheqësia e saj është definuar nga trajtimi që i ka bërë pakicës myslimane Rohingya.

Më 2017, qindra mijëra Rohingya kanë ikur në Bangladesh, për shkak të shtypjes ushtarake, e nxitur nga sulmet vdekjeprurëse ndaj stacioneve policore në shtetin Rakhine.

Ish-mbështetësit ndërkombëtarë të Suu Kyis kanë akuzuar atë që nuk ka bërë asgjë për të ndalur dhunimin, vrasjen dhe gjenocidin e mundshëm ndaj Rohingyave, duke mos pranuar që të dënojë ushtrinë apo të pranojë mizoritë.

Megjithatë, në Mianmar, “Zonja”, siç njihet Suu Kyi, vazhdon të jetë popullore në mesin e shumicës budiste, të cilët kanë pak simpati për pakicën Rohingya.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG