Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqëse të programit ndërkombëtar COVAX, kanë publikuar të mërkurën parashikimet rreth shpërndarjes së vaksinës kundër koronavirusit, për vendet që tashmë kanë aplikuar për këtë vaksinë.
Kosova, si një nga vendet e përfshira në program, besohet se do të mund të përfitojë nga COVAX, 100,800 doza të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Në raportin e publikuar më 3 shkurt, është thënë se Kosova do të furnizohet me vaksina të kompanisë AstraZeneca, ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka siguruar ende vaksinën e kësaj kompanie.
Mes tjerash në raport është thënë se vaksinat për vendet pjesëmarrëse në program do të shpërndahen më 2021, por nuk është përmendur data fillestare e nisjes këtij procesi.
Kosova pritet të marrë vaksinën e kompanisë AstraZeneca, të prodhuar nga kompania jugkoreane, SK Bioscience.
Në mesin e të dhënave të publikuara shihet se OBSH-ja do të finalizojë bisedimet me këtë kompani për shpërndarje eventuale të vaksinave në mesin e muajit shkurt.
Edhe Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në mesin e muajit shkurt, eventualisht në javën e tretë, në Kosovë do të vijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, përmes skemës COVAX.
Në mesin e parashikimeve tjera në raport është thënë edhe se doza totale e vaksinave për vendet respektive mbulon rreth 3.3 për qind të numrit total të popullsisë së 145 vendeve pjesëmarrëse.
“Kjo gjë është në linjë me synimin tonë për të vaksinuar të paktën 3 për qind të popullsisë në të gjitha shtetet në pjesën e parë të vitit, mjaftueshëm për të mbrojtur grupet e ndjeshme dhe punëtorët e kujdesit shëndetësor”, është thënë në raport.
Përveç vaksinave nga COVAX, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Megjithatë, kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Zyrtarët e saj kanë thënë vetëm se janë në diskutime për këtë çështje dhe se negociatat janë konfidenciale.
Sa u përket vendeve të rajonit, përmes skemës COVAX, Shqipëria pritet të furnizohet me 141,600 doza vaksine, Serbia 345,600, Bosnje-Hercegovina 177,000, Maqedonia e Veriut, 103,200 dhe Mali i Zi, 84,000.
Të gjitha këto vende do të furnizohen me vaksina të kompanisë AstraZeneca, përveç Bosnje-Hercegovinës, e cila do të përfitojë edhe një sasi të vaksinave të kompanisë Pfizer.