Ndërlidhjet

Vuçiq dhe Macron: Shpresojmë në zgjidhje kompromisi për Kosovën


Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq shikojnë një glob gjatë takimit të tyre në Pallatin Presidencial, Beograd, 15 korrik 2019.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq shikojnë një glob gjatë takimit të tyre në Pallatin Presidencial, Beograd, 15 korrik 2019.

Në prag të takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk është çështje e lehtë për Serbinë, por shpreson se në fund të procesit do të arrihet një zgjidhje kompromisi e cila do të jetë e pranueshme për dyja palët.

“Që të gjithë duhet të bëjmë gjithçka të arrijnë deri te një zgjidhje kompromisi për të dyja palët. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj nga Macron idetë e tij origjinale dhe të përparuara për të arritur pranë marrëveshjes. Do ta prezentoj në mënyrë të sinqertë platformën tonë dhe jam i sigurt se me udhëheqjen e tij ne do të arrijmë rezultate në periudhën e ardhshme”, tha presidenti Vuçiq.

Presidenti serb në profilin e tij në Instagram tha se me homologun e tij francez do të bisedojë për tri tema: zgjidhjen për Kosovën, integrimet evropiane të Serbisë dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Takimi pritet të mbahet të hënën (1 shkurt) në Paris.

Edhe presidenti Macron gjatë një adresimi para gazetarëve në Paris ka thënë se në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët.

“Në këtë çështje, të vetmet zgjidhje që çojnë në përpara, janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët pajtohen, dhe të cilat do të na mundësonin të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në zemër të Evropës”, ka thënë Macron.

Ai u tha gazetarëve se ai gjithashtu do të angazhohej dhe do të siguronte mbështetje për të gjithë ata që janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Bisedimet e fundit të tyre, Vuçiq dhe Macron i kanë pasur në korrik të vitit 2020 kur u mbajt një video-samit për Kosovën dhe Serbinë, i organizuar nga Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Macron zhvilloi një vizitë dy-ditore në Serbi më 15 korrik 2019.

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Takimi i fundit ndërmjet krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Prej atëherë, nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG