Ndërlidhjet

Memoaret e hebrenjve të mbijetuar vënë në pah të vërtetat e harruara


Një vizitor në Muzeun e Holokaustit në Shkup, ku janë vendosur portretet e hebrenjve që vdiqën në kampin e përqendrimit Treblinka.
Një vizitor në Muzeun e Holokaustit në Shkup, ku janë vendosur portretet e hebrenjve që vdiqën në kampin e përqendrimit Treblinka.

Departamenti për Edukim dhe Hulumtimin e Holokaustit, i cili funksionon në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, (ITSHKSH) ka në fokus zbardhjen e të vërtetës për shumë familje hebreje në trojet e ish-Jugosllavisë të cilat arritën të mbijetojnë gjatë Luftës së Dytë Botërore, falë ndihmës së familjeve shqiptare, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së.

“Me themelimin e këtij departamenti (Departamentin për Edukim dhe Hulumtimin e Holokaustit) të vetmin e kësaj natyre në Evropën Juglindore, menjëherë kemi filluar të botojmë ligjet anti-semitike, që janë sjellë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Mbretëria e atëhershme e Bullgarisë, përkatësisht botimin e një libri nga autorë shqiptarë dhe maqedonas, në të cilin në formë të dokumentuar flitet për dëbimin e 7 mijë e 144 hebrenjve nga Maqedonia e Veriut drejt Treblinkës. Pastaj kemi filluar me fazën e dytë të veprimit të këtij institucioni, me ç’rast hulumtuesit e këtij departamenti shkuan në Izrael për t`i takuar të mbijetuarit e familjeve hebreje nga trojet e ish-Jugosllavisë, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore të vetmin shpëtim e kanë pasur strehimin në trojet etnike shqiptare, përkatësisht familjet shqiptare me ndihmën e po shqiptarëve”, thotë Asani.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, që përkujton 27 janarin e vitit 1945, kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka botuar në katër gjuhë, shqip, maqedonisht, anglisht dhe hebraisht memoaret e familjes Altarac, përkatësisht Shella Cion Altarec nga Shtipi, qytet ky në lindje të Maqedonisë së Veriut dhe bashkëshortit të saj Braco Atarec nga Sarajeva.

Aushvici, tragjedia më e madhe në historinë e njerëzimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Në këtë libër rrëfehet rrugëtimi i Shellës, si vajzë atëkohë, në vitin 1943 vetëm 7 vjeçe dhe si anëtarja e vetme e mbijetuar e familjes Altarac, e cila kalon nëpër shumë peripeci gjatë rrugëtimit nga Shtipi drejt Shkupit, dhe më pas duke jetuar një kohë në Prishtinë dhe Gjakovë.

Shella Altarac pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore strehohet në shtëpinë jetimore në Beograd prej ku është nisur në Izrael.

Në intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Skender Asani thotë se përmes këtyre rrëfimeve zbardhet një e vërtetë që qëllimisht është vënë në harresë nga ish-regjimi komunist.

“Mbi 70 familje hebraike, gjatë takimeve që i kam pasur në Izrael, më kanë dhënë të drejtën autoriale që t'i botoj memoaret , duke filluar me memoaret e gruas hebreje Ita Bartuv dhe kësaj radhe më 27 janar të këtij viti ne po promovojmë librin për vuajtjet e familjes Alltarac ‘Fëmijëria e Humbur’ rrëfimi mbi jetën dhe mbijetesën, duke u bazuar në memoaret e Shella Atrac atë kohë vetëm7 apo 8 vjeçare”, thotë Asani, i cili ka botuar librin me memoaret e zonjës Shella Altarac.

Misioni i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:11 0:00

Ai thekson se familjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut falë besës së dhënë edhe kundrejt kushteve të vështira ekonomike kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për hebrenjtë jo vetëm nga Maqedonia e Veriut po edhe nga trojet e Bosnjës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë të cilët arrinin në Shkup, që pastaj përmes ndihmës së shqiptarëve të kalojnë në Shqipëri, ku u pajisën me leje identifikimi dhe nënshtetësi shqiptare.

“Pikërisht të gjithë këta hebrenj kanë arritur të shpëtojnë jetën falë shqiptarëve në këto troje, të cilët i kanë bartur familjet hebraike në vende të sigurta megjithëse shqiptarët në atë periudhë kanë qenë në gjendjen më të mjerueshme sa i përket gjendjes ekonomike, por atë mundësi që e kanë pas e kanë ndarë me hebrenjtë, për çka duhej trimëri pasi pa trimëri, guxim nuk do të mund të shpëtonin ata hebrenj që tani për fat të mirë janë gjallë dhe përmes rrëfimeve të tyre ne e kuptojmë realitetin e asaj kohe”, thotë Asani.

Ndryshe natën në mes 10 dhe 11 marsit të vitit 1943 janë arrestuar mijëra hebrenj nga qyteti i Manastirit, Shtipit dhe Shkupit duke i vendosur ata në kampin e përkohshëm të përqendrimit në Monopolin e Shkupit që njihet si Kombinati i Duhanit.

Nga këto tri qytete, në Monopolin e Duhanit në Shkup, u mblodhën gjithsej 7,144 hebrenj, apo rreth 98% e komunitetit hebre në Maqedoni të Veriut, në vitin 1943.

Po në mars ata u dërguan në kampet e përqendrimit në Treblinka të Polonisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG