Ndërlidhjet

DnV kërkon ndaljen e "presionit ndaj KQZ-së"


Ismet Kryeziu nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.
Ismet Kryeziu nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) kërkon nga partitë politike që të ndalin "presionin ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor”, dhe të respektojnë procedurat ligjore për certifikim.

Në një konferencë për media të shtunën në Prishtinë, ku shpalosi planin për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Ismet Kryeziu nga ky koalicion, tha se presioni mund të dëmtojë procesin zgjedhor.

“Ne u bëjmë thirrje partive politike dhe institucioneve të tjera që të lejojnë KQZ-në, të bëjë punën e saj në mënyrë profesionale, me integritet dhe pa ndërhyrje dhe pa presion. Gjithashtu dënojmë ashpër, linçimin dhe presionin që është bërë direkt ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Daka”, tha Kryeziu.

Vetë Daka ka thënë më 21 janar se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheq, kanë për qëllim që të “pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Këto deklarata të Dakës kanë ardhur vetëm një ditë pasi KQZ-ja njoftoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku thuhej se 47 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryeziu: Legjislacioni për certifikim është i qartë

Përgjatë konferencës të së shtunës, Kryeziu kërkoi nga partitë politike që të respektojnë legjislacionin në fuqi, që sipas tij është i qartë edhe për rastin e certifikimit të kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e rregullon përgjegjësinë e institucioneve përgjegjëse dhe mekanizmat për certifikim për subjektet politike dhe listat e kandidatëve. Si DnV iu bëjmë thirrje subjekteve që të ndjekin procedurat e parapara për certifikim”, shtoi Kryeziu.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, vlerëson se partitë politike, pos që kanë nisur para kohës fushatën zgjedhore, po i shkelin masat në fuqi kundër pandemisë së koronavirusit.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike: Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi i VV-së, Sami Kurteshi tha se “përpjekja për të ndaluar parti dhe kandidatë të caktuar të dalin në garën e 14 shkurtit, po duket qartë, dhe kjo ka të bëjë me emrin e Albin Kurtit (kryetari i VV-së)”.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t'i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyreje, Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit.

Buleshkaj ka theksuar se zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG