Ndërlidhjet

AstraZeneca aplikon për autorizimin e vaksinës nga BE-ja


Paketime të vaksinës Oxford/AstraZeneca
Paketime të vaksinës Oxford/AstraZeneca

AstraZeneca aplikoi te Bashkimi Evropian për autorizimin e vaksinës anti-COVID-19, që kjo kompani farmaceutike britanike e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha të martën se opinionin për autorizim të kushtëzuar të vaksinës mund ta lëshojë deri më 29 janar.

Nëse miratohet nga EMA dhe aprovohet zyrtarisht nga Komisioni Evropian, ajo do të bëhet vaksina e tretë kundër sëmundjes COVID-19, që do të jetë e disponueshme në vendet e BE-së.

Dy vaksinat e miratuara tash për tash janë Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se aplikimi i AstraZenecas është një “lajm i mirë”.

“Sapo vaksina të marrë një opinion pozitiv shkencor, ne do të punojmë me shpejtësi të plotë për ta autorizuar përdorimin e saj në Evropë”, shkroi von der Leyen në Twitter.

Vaksina Oxford/AstraZeneca është miratuar tashmë në disa vende, përfshirë Argjentinën, Britaninë dhe Indinë.

Kjo vaksinë është më e lirë për t’u prodhuar dhe më e lehtë për t’u ruajtur dhe transportuar, sesa vaksinat e tjera.

Pfizer/BioNTech, për shembull, duhet të mbahet në temperatura jashtëzakonisht të ulëta: -70 gradë Celsius.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG